Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 15:31

Radenko Nedelkoviç, i ashtuquajturi kryeshef i Qarkut të Mitrovicës,  ka theksuar se “në veri mund të ketë probleme serioze, sepse vullneti i popullit i dalë nga referendumi duhet të respektohet, e kjo do të thotë se popullata e këtushme nuk dëshiron kurrfarë institucionesh të Kosovës në këtë pjesë të vendit”.

Për popullatën serbe në veri dhe përfaqësuesit e saj, është i papranueshëm fakti që në pikëkalimet mes Kosovës dhe Serbisë të ketë doganierë dhe policë shqiptarë.

Pjestarë të misioneve ndërkombëtare në veri të Kosovës këto ditë kanë filluar të shpërndajnë fletushka qytetarëve përmes të cilave informojnë ata për aktivitetet e tyre të ardhshme nëpër pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, kur bëhet fjalë për doganimin e mallrave komerciale dhe jokomerciale.

Ata duan që mallrat me akcizë të kalojnë vetëm përmes Merdares, Jarinja sipas tyre është e hapur vetëm për qarkullim udhëtarësh, ndërkohë që mallrat të cilat hynë përmes Bërnjakut të doganohen në terminalin doganor në jug të Mitrovicës, dhe kjo për neve është krejtësisht e papranueshme”, ka thënë Nedelkoviç.