Prishtinë – Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës hasi në rezistencën e banorëve lokalë dhe udhëheqësve politikë serbë të asaj pjese të vendit. Ata thanë se do të vazhdojnë kundërshtimin e deritashëm ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës, ndërsa hodhën poshtë mundësitë që në të ardhmen të bashkëpunojnë me zyrën në fjalë.
Danica Markoviq nga veriu i Mitrovicës, e quajti të panevojshme hapjen e Zyrës Administrative në veri të qytetit, duke shfaqur bindjen se me të do të bashkëpunojnë vetëm individë të caktuar dhe jo shumica e serbëve të veriut. Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi që në veri të vendit të hap një Zyre Administrative me përkushtimin për t’u ofruar banorëve “shërbime më të mira me përgjegjësi më të madhe, si dhe investime në infrastrukturë duke u bazuar në prioritetet e qytetarëve në veriun e Mitrovicës”.
Milosh Bullatoviq, po ashtu banor i veriut të Mitrovicës, u shpreh pesimist për suksesin e zyrës, ndërsa theksoi se serbët e veriut nuk mund të blihen me para. Vendimit të ekzekutivit kosovar për themelimin e një zyre në veri iu përgjigjën me tone më kritike aktivistët politikë të veriut të Mitrovicës.
Njëri nga ata, Milan Ivanoviq, kërkoi parandalimin e hapjes së zyrës meqë me të, sipas tij, synohet jetësimi i planit për shpërnguljen etnike të serbëve. Marko Jakshiq, një tjetër përfaqësues i serbëve të veriut tha se me krijimin e një komune sipas planit të Ahtisaarit do të largoheshin lidhjet me shtetin serb, gjë të cilën sipas tij, nuk e duan serbët e veriut të Mitrovicës.
Sekretari shtetëror i Ministrisë për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë të enjten se formimi i Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës nga ana e Qeverisë së Kosovës është një provokim dhe tendencë për të ndryshuar gjendjen në terren para dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Nuk do të ketë ndonjë reagim të veçantë të Qeverisë së Serbisë, aq më pak jo në këtë situatë, përveç deklaratave se ky është një akt i provokimit flagrant, i cili nuk ka për qëllim qetësimin e gjendjes, por përkundrazi shqetësimin e popullatës serbe dhe krijimin e situatave ku janë të mundshme incidentet”, ka thënë Ivanoviq. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 18:30