Lajme Shqip Wednesday, 21 December 2011 11:32

Dy grupe të personash, rreth 60 prej tyre, raportohet të kenë qenë të përfshirë në një rrahje masive në veri të Mitrovicës.

Incidenti i rrahjes, besohet të ketë filluar rreth orës 23:00min, në rrugën “Llolle Ribara” ndërsa grupi i të rinjve fillimisht ka dëmtuar dy automjete civile pronë të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe.

 Ndjekja dhe rrahja e grupeve të të rinjve, ka vazhduar edhe në dy lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës ndërsa njësitë policore të stacionit veri dhe atij Zveçan, janë vënë në kryerje të detyrës për të parandaluar precipitimin e mëtejshëm të situatës.

 Rrahja masive është përhapur në rrugën “Knjaz Millosh” ku janë dëmtuar xhamat e një lokali të ushqimit të shpejtë, ndërsa policët patrullues, të cilët kanë reaguar të parët në vend ngjarje, janë detyruar të vënë në përdorim spërkatësin lotsjellës, për të ndarë grupet e përfshira në rrahje të cilët përdornin mjete të forta.

 Njëri nga zyrtarët policor, si mënyrë paralajmëruese, duke konsideruar të domosdoshme veprimin e tij, ka vënë në përdorim armën zyrtare, duke shtënë në ajër me qëllim të parandalimit të grupeve vandale të cilët mund të shkaktonin lëndime të rënda trupore gjatë rrahjes, me përdorim të shkopinjve dhe sendeve tjera të forta.

 Rrahja, përndjekja dhe vandalizmi në rrugë, nuk ka përfunduar me reagimin e patrullave policore, të dyja grupet e përfshira në rrahje, janë larguar në drejtim të rrugës “Mbreti Petër” ndërsa në shënjestër të dëmeve materiale ishte edhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës ku xhami i pasmë i automjetit zyrtar është dëmtuar si rezultat i goditjeve me mjete të forta nga grupi i sulmuesve.

Së paku, nëntë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, me lëndime të ndryshme, kryesisht, lëndime të lehta dhe prerje në  pjesë të ndryshme të trupit, nga mjetet e vëna në përdorim gjatë rrahjes.

Dyshohet se motiv i mundshëm i kësaj rrahje është konflikti i interesit të grupeve huligane.

Hetuesit policor të stacionit veri në Mitrovicë, kanë nisur hetimet për vepra penale “dëmtim të pronës” dhe “shkaktim të lëndimeve trupore” ndërsa janë në proces të mbledhjes së informatave për identifikimin e mundshëm të personave të përfshirë në rrahje.

Incidente të tilla të grupeve të të rinjve në veri të Mitrovicës, janë raportuar të kenë zënë vend edhe më herët. Nuk është raportuar për të arrestuar deri në këtë moment.