Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 19:00

Prishtinë- Dëbora e shoqëruar me erë të fuqishme që ka rënë ditëve të fundit, ka vështirësuar lëvizjen në zonën e Shalës së Bajgorës, rajoni i Mitrovicës, në veri të Kosovës, megjithatë zyrtarët komunalë bëjnë të ditur se të gjitha rrugët sot janë të kalueshme.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se, “trashësia e dëborës nuk është e madhe, mirëpo problem kanë paraqitur ortekët e krijuara nga era në rrugën kryesore në këtë zonë malore”.

Sipas tij, janë krijuar ortekë edhe nëpër rrugët lokale në fshatrat e kësaj zone.

 “Përderisa rruga magjistrale që është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës është pastruar me kohë, në rrugët lokale ka ndërhyrë kompania ndërkomunale ‘Uniteti’, duke zhbllokuar rrugët nga ortekët e mëdha”, tha ai.

Dje njoftohej se erërat e forta në një mot me reshje dëbore kanë shkaktuar dëme në lokalitete të ndryshme të Kosovës,  veçanërisht në komunat e Pejës dhe Istogut, ku janë rrëzuar çati të shtëpive e ndërtesave të tjera, si dhe janë përmbysur makina.

Mësohet se janë ngritur shtabe krize për të përballuar këtë situatë. (LajmeShqip.com)