Mitrovicë-Maskat që grabisnin të armatosuar dhe torturonin qytetarë e rajonit të Mitrovicës, janë vënë në pranga të policisë së Kosovës.
Hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës të sektorit kundër krimeve të rënda në Mitrovicë, si rezultat i përpunimit të informatave dhe zhvillimit të hetimeve intensive për identifikim të personave të dyshuar të përfshirë në raste seriale të grabitjeve të armatosura, me sukses kanë realizuar identifikimin dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.
Gjatë ditës së djeshme, hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës, kanë realizuar urdhër kontrollin e autorizuar nga gjykata e qarkut, për bastisje të koordinuar të dy shtëpive në dy lokacione të ndryshme.
Operacioni i bastisjes ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e katër personave si të dyshuar kryesor për përfshirjen e tyre në së paku tri raste të grabitjes dhe vjedhjeve grabitqare, të raportuara të kenë ndodhur gjatë muajve dhjetor 2011 dhe janar 2012.
Të tri rastet e regjistruara të grabitjes së armatosur, janë raportuar të kenë ndodhur në zonën e përgjegjësisë të komunës së Vushtrrisë, ndërsa cak i sulmeve ishin dy pompa të derivateve dhe një shitore lokale në fshatin Smrekonicë.
Në rastin e parë, më 3 dhjetor 2011, rreth orës 02:00, personat e dyshuar të armatosur dhe të maskuar, kishin grabitur dy telefona celularë dhe rreth 600 euro nga punonjësit e pompës së derivateve “Al-Petroll” në Vushtrri.
Më 16 dhjetor, 2011, rreth orës 21:45, sulmuesit e maskuar dhe të armatosur, kishin arritur që të grabisin 90 euro, para të gatshme dhe një telefon mobil, nga punëtorët e pompës së derivateve “Kosova Petroll” në rrugën magjistrale Mitrovicë – Prishtinë, përkatësisht në hyrje të Vushtrrisë.
Më 11 janar, 2012, rreth orës 19:00, persona të maskuar dhe të armatosur, patën sulmuar viktimën, një femër, në një shitore në fshatin Smrekonicë, duke i shkaktuar lëndime trupore viktimës, ndërsa të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes duke mos arritur të marrin gjë nga vendi i ngjarjes.
Me autorizimet e ligjshme në procesin e hetimeve, përmes aplikimit të masave të fshehta, hetuesit kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale përfshirë edhe armët automatike dhe telefonat celularë të cilat besohet se janë vënë në përdorim për kryerje të akteve kriminale.
Dy armë automatike “AK-47” së bashku me katër karikator dhe një pushkë gjuetie, janë sekuestruar si pjesë të provave materiale gjatë operacionit të kontrollit.
Të dyshuarit e arrestuar, F.Imeri 1991, Sh. Sadiku 1993, J.Xhafa 1992 dhe R.Baliu 1992, shtetas të Kosovës janë intervistuar nga hetuesit policor ndërsa të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit policor për dyshim të bazuar të përfshirjes së tyre në bashkëveprim të veprave të rënda të grabitjes dhe vjedhjes grabitqare, nga neni 256 pika 1, të Kodit Penal të Kosovës dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 13:18