Mitrovicë- Në fillim të muajit mars të këtij viti, në Mitrovicë do të fillojnë së realizuari edhe dy projekte kapitale, shumë të rëndësishme, për qytetarët e Mitrovicës.
Fjala është për projektin për rregullimin e shëtitores në qendër të qytetit, që përfshin hapësirën që nga “Sheshi i Jasharajve” e deri tek ai “Isa Boletini, afër urës kryesore mbi lumin Ibër.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, me qëllim që të bëhen përgatitjet sa më cilësore për fillimin e suksesshëm e me kohë të realizimit të këtyre projekteve, ka organizuar një takim, në të cilin kanë marrë pjesë drejtori për Infrastrukturë e Shërbime Publike Rasim Veseli dhe ai për Urabnizëm, Mehdi Bala, ekspertë të tjerë të komunës, si dhe përfaqësuesit e kompanive EPTISA (që e ka bërë projektin dhe mbikëqyrë realizimin e tij), nga Spanja dhe SETEC nga Luksemburgu, bashkë me kompanitë tjera që do të kryejnë punë në realizimin e projekteve.
Kryetari Kastrati ka kërkuar nga të gjithë të përfshirët në realizimin e këtyre projekteve që punët t’i kryejnë me përgjegjësi dhe brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që qytetarët të kenë sa më pak probleme e telashe, ashtu që për çdo pengesë që paraqitet për qytetarë, të gandet zgjidhje alternative.
Ai ka premtuar se komuna nga ana e saj do t’i plotësojë të gjitha obligimet e veta dhe se nuk do të ketë asnjë ditë vonesë në realizimin e tyre. Njëkohësisht, ai ka kërkuar nga kompanitë që të konsultohen me kohë dhe vazhdimisht edhe me kompanitë tjera, siç janë PTK-ja, KEK-u, IPKO etj, që kanë rrjetet e tyre nëpër rrugë, me qëllim të evitimit të dëmeve eventuale gjatë zhvillimit të punimeve.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike e Infrastrukturë, Rasim Veseli, ka thënë se për realizimin me sukses të këtyre projekteve, duhet të bëhet edhe një fushatë e informimit të qytetarëve, me qëllim që të kenë sa më pak telashe, por që për këtë duhet të jepen sa më shumë informata nga ana e kompanive që i realizojnë projektet.
Ndërkaq, Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Mehdi bala, ka thënë se këto janë dy projektet më të rëndësishme kapitale dhe më të kushtueshme që janë realizuar brenda në qytet. Ai tha se projekti i shëtitores së qytetit financohet nga Komisioni Evropian dhe kushton rreth 2.2 milionë euro.
Ndërsa, për projektin e ndërrimit të rrjetit të ujësjellësit në tërë komunën, ka thënë se ai mund të kushtoj deri në 15 milionë euro. Por, ka thënë ai, tani në mars fillon faza e parë e ndërrimit të gypit kryesor të ujësjellësit të qytetit, nga fabrika për prodhimin e ujit, deri në fshatin Rekë. Kjo fazë e realizmit të projektit do të kushtojë rreth 1.8 milionë euro, mjete këto të siguruara nga Agjencioni për bashkëpunim dhe Zhvillim i Qeverisë së Luksemburgut.
Saturday, 21 January 2012 12:34