Lajme Shqip Thursday, 29 December 2011 17:49

Mitrovicë- Në prag të ndërrimit të viteve, Komuna e Mitrovicës ka ndarë sot pako ushqimore dhe dhurata për familjet në nevojë, për fëmijët e familjeve të dëshmorëve, “Shoqatën e të verbërve” dhe “Shoqatën e shurdhmemecëve”.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati bashkë me drejtorin për Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, kanë marrë pjesë në ndarjen e dhuratave në disa nga këto shoqata dhe organizata, ku janë mirëpritur dhe falënderuar.

Ata kanë premtuar se do të jenë pranë tyre vazhdimisht në mënyrë që të krijohen kushte më të mira jetese për të gjithë.

Janë ndarë 63 pako për familjet që jetojnë në katër strehimore kolektive në Mitrovicë, 490 dhurata për fëmijët që jetojnë në veri të qytetit, përfshirë tre fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit si dhe 73 dhurata për familjet e dëshmorëve.

Ndërsa, 300 dhurata për “Handakosin”, “Shoqatën e të verbërve” dhe “Shoqatën e shurdhmemecëve”  u dhuruan nga një firmë në Prishtinë.