Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 14:59

Tiranë – Kuvendi miratoi të enjten me 73 vota pro dhe 55 abstenime disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Miratimit të draftit i parapriu debati i fortë mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës, i shkaktuar nga kundërshtitë e kësaj të fundit.

Deputeti socialist, Erjon Braçe tha se ligji i propozuar nga qeveria nuk do t’i shërbejë pronarëve, ndërsa sipas tij, çmimi dhe fondi i kompensimit janë probleme të mëdha që nuk paraqesin zgjidhje.

Pas fjalës së tij, reagoi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se ka qenë opozita ajo që nuk ka kompensuar asnjë ish-pronar gjatë kohës që ka qeverisur.”Deri në 2005-n zero kompensim financiar për ish-pronarët. Tokat në Tiranë, Rama ja ka dhënë Fidelit e Besos. Pse keni kaq urrejtje për ish-pronarët?” u shpreh Topalli.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj theksoi se me projektligjin në fjalë gjejnë zgjidhje të gjitha çështjet për të kaluar në hallkën e fundit që me përmbylljen e privatizimit të përmbyllet njëherë e mirë edhe tranzicioni që lidhet me pronat.  (LajmeShqip.com)