Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 19:00

Tiranë – Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të mërkurën marrëveshjen me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për ndërtimin e dy segmenteve të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në jug të vendit, bypass-in e Fierit dhe Vlorës.

Financimet për ndërtimin e këtyre dy segmenteve rrugore, që në total llogariten 125 milionë euro, janë siguruar përmes marrëveshjeve me institucionet ndërkombëtare financiare BERZH, BEI dhe IPA.

Ministria e Financave nënshkroi në fund të muajit nëntor marrëveshjen me BERZH-in prej 53 milionë eurosh, ndërsa pritet që shumë shpejt të përmbyllen edhe marrëveshjet me BEI-in, prej po 53 milionë eurosh, dhe IPA-n prej 18 milionë eurosh.

Gjatë debatit në komision, deputetët e opozitës theksuan se qeveria ka dy standarde sa i takon llogaritjes së kostos së rrugëve, ndërsa kërkuan shpjegime nga Ministria e Transporteve për vonesën për ndërtimin e autostradës Fier-Vlorë.

Ekspertë të drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve i argumentuan vonesat e ndërtimit të rrugëve me faktin se projekti i bypass-it të Fierit është devijuar, për shkak të zgjerimit të parkut arkeologjik. (LajmeShqip.com)