Lajme Shqip Tuesday, 25 August 2015 12:26

Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit do të rivlerësojë materialin e përdorur për rinovimin e shkallëve të Teatrit Kombëtar. MKRS-ja ka vendosur që të mos e marrë parasysh raportin që ka bërë komisioni i themeluar prej vetë këtij institucioni në raport me rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Pas raportimit të “Kohës Ditore” se institucioni më i lartë kulturor në vend ka shkelur kërkesat që vetë i ka përcaktuar për rinovimin e TKK-së, kabineti i ministrit Kujtim Shala ka vendosur që të bëhen vlerësime shtesë për granitin e përdorur në shkallët e institucionit më të lartë teatror në vend.

Javën e kaluar gazeta kishte raportuar sesi, edhe pse MKRS-ja ka kërkuar që shkallët të shtrohen me granit që në çmimin e tregut kushton rreth 200 euro për metër katror – dhe në praktikë puna është kryer më material me çmim prej 60 eurosh – një komision i këtij institucioni kishte konstatuar se bëhej fjalë vetëm për ndërrimin e ngjyrës së granitit.

Por një javë më vonë MKRS-ja ka dërguar mostrat e granitit në laborator për të vërtetuar se çfarë materiali është vendosur realisht në shkallët e TKK-së.

“Janë ndërprerë punimet dhe do të ketë teste shtesë”, ka thënë Ndue Ukaj, zyrtar për informim në MKRS