Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit ka shkelur kërkesat e veta lidhur me renovimin e objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Ky institucion ka pranuar punën e punëkryesit me material tri herë më të lirë sesa që ishte përcaktuar nëpërmjet tenderit publik. Sipas tenderit do të duhej që graniti me të cilin janë renovuar shkallët e Teatrit të ishte natyral indian dhe jo kinez siç është përdorur deri më tani, shkruan sot Koha Ditore.
Nëpërmjet një raporti të nxjerrë nga Komisioni që ishte themeluar për të mbikëqyrur procesin e renovimit të TKK-së, është konstatuar se punëkryesi i është përmbajtur kontratës. Por, sipërmarrësit që shfrytëzojnë granitin për punimet e tyre, i kanë cilësuar të pasakta konstatimet e komisionit të MKRS-së, tek kanë shpjeguar dallimin midis materialit të kërkuar me tender dhe atij që është përdorur.
Në bazë të sqarimeve që u ka dhënë MKRS-ja ofertuesve, për shkallët dhe dyshemenë në hyrje të këtij institucioni është dashur të përdoret granit natyral që në çmimin e tregut në Kosovë kushton rreth 200 euro për metër katror. Por kompania “Pleqja Construction” është duke përdorur llojin e granitit, çmimi i së cilit sillet rreth 60 euro për metër katror.
“Këtu është fjala për granit natyral. Nuk është cekur në asnjë moment granit artificial. Përshkrimi mbetet po ai si në paramasë – dosjen e tenderit”, shkruhet në shkresën që MKRS u kishte dërguar operatorëve ekonomikë ende pa u shpallur fituesi i tenderit. Krejt në fund të shkresës ceket edhe lloji i granitit që do të duhej të përdorej.
“Për udhëzim të operatorëve ekonomikë, graniti është i tipit: ‘Madura Kashmir Gold’ apo ‘Galaktika Blue’.
Shpresoj se kjo përgjigje do t’i qartësojë gjërat”, shkruhet tutje në shkresën e Zyrës së prokurimit të Ministrisë së Kulturës. Aktualisht kompania “Pleqja Construction” pothuajse ka përfunduar punën e granitit në shkallët e TKK-së. Por kjo kompani ka përdorur granit kinez të llojit “G664”, i cili aktualisht ka çmim tri herë më të lirë sesa ai që ka kërkuar MKRS-ja. “Galaktika Blue”, “Kashmir dhe Madura Gold”, të cilat i ka përcaktuar MKRS-ja janë prodhim indian e ukrainas.
Edhe në ueb-faqet ndërkombëtare që merren me shitjen e këtij materiali, këto dy lloje dallojnë për trefish në çmim. Përderisa dallon dukshëm edhe në ngjyrë. Pas raportimit të gazetës për këtë rast në fillim të këtij muaji, MKRS-ja kishte caktuar një komision për të parë nëse puna është kryer në bazë të kërkesës. Sipas komisionit të MKRS-së bëhet fjalë vetëm për ndërrim të ngjyrës e jo edhe të materialit.
Por sipas sipërmarrësve që merren me punët e granitit konstatimi i komisionit të MKRS-së është krejtësisht i paqëndrueshëm, ngase bëhet fjalë për granit natyral e jo të përpunuar
Friday, 21 August 2015 14:55