Lajme Shqip Friday, 27 May 2011 15:30

Tiranë - Edhe pse biznesi është  në pritje të rishqyrtimit  të disa projektligjeve  të rëndësishme, akoma nuk  ka marrë asnjë sinjal pozitiv nga Qeveria. Kështu, drafti për tatimin mbi fitimin, që parashikonte aplikimin e një tatimi progresiv mbi bizneset në varësi të shkallës së fitimit, po “fle” në sirtaret e dikasterit të Financave, edhe pse ka të bëjë drejtpërdrejt më përformancën e sipërmarrjes në vend.

Drafti për tatimin mbi fitimin, parashikonte aplikimin e një tatimi progresiv mbi bizneset në varësi të shkallës së fitimit. Kështu, ishte propozuar dyfishimi e tatim-fitimit për ato kompani që deklarojnë se kanë fitime mbi 20 për qind të xhiros si dhe trefishimin të tij për ato biznese që deklarojnë se kanë fitim mbi 30 për qind të xhiros.

Ndryshimet e propozuara në këtë projektligj kanë një rendësi të madhe edhe për buxhetin, pasi subjektet që preken janë kryesisht bizneset e mëdha, si bankat, kompanitë e telefonisë celulare apo prodhues të rëndësishëm, që kontribuojnë me vlera të konsiderueshme monetare në arkën e shtetit.