Lajme Shqip Thursday, 21 June 2012 13:05

Prishtinë (PLOTESUAR 19:30)- Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë /Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar, në një deklaratë pasdite lidhur me incidentin kundër delegacionit të BE-së gjatë vizitës sot në Prishtinë shprehet se “shpreh tmerrin dhe zhgënjimin tim për atë që ka ndodhur mëngjesin e sotëm”.

“Gjuajtja me domate dhe britmat kundër delegacionit zyrtar të BE-së, qëllimi i të cilit është vetëm të lehtësojë raportet midis Prishtinës dhe Beogradit, është gjest i papranueshëm. Vetëvendosje mund të mos mbështesë dialogun, megjithatë kjo sjellje kurrë nuk mund të jetë alternativë e suksesshme. Pres që VV të distancohet prej sjelljeve të tilla, të cilat dërgojnë mesazhe kontradiktore në Bruksel”, citohet Zbogar në një komunikatë nga zyra e tij. Ai thekson se “BE-ja mbetet e angazhuar për të lehtësuar vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, dhe për të punuar me të gjitha partitë politike dhe aktorët në mbështetje të rrugës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

Ndërsa në një komunikatë nga zyra e shtypit e Kryeministrisë kosovare, ku është njoftuar se kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në bisedimet teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, është bërë e ditur se “pas takimit në Qeverinë e Kosovës, në drejtim të z.Cooper persona të papërgjegjshëm kanë hedhur domate”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dënon këtë veprim të ulët, që dëmton imazhin evropian të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatë. “Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Këto veprime janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në një komunikatë tha se ishte një “protestë kundër rifillimit të bisedimeve me Serbinë”. (LajmeShqip.com)

******************************************

Prishtinë – Lehtësuesi i bisedimeve Kosovë-Serbi, Robert Cooper pas vizitës në Beograd, është pritur me domate të prishura nga aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje deri sa po futej në objektin e qeverisë së Kosovës, njofton KTV.

Cooper do të takojë shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri. Cooper ishte dje në në Beograd, ku ka mirëpritur, siç thuhet gatishmërinë e palës serbe që me bisedimet e nivelit të lartë, të zgjidhen problemet në Kosovë. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojnë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë.

Por, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të vazhdojë bisedimet, nëse Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani në Bruksel.

Me t’u larguar Cooper nga Qeveria, janë larguar edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke mbajtur rend në protestë. Të pranishëm kanë qenë edhe lideri i VV-së, Albin Kurti dhe deputetë të kësaj lëvizjeje. Glauk Konjufca ka thënë se qëllimi i protestës është kundërshtimi i bisedimeve, raundit të ri, që sipas tij po përgatitet tereni që në këtë raund të bisedohet për veriun.

Pas vizitës së djeshme në Beograd, Cooper po qëndron në Prishtinë, ku është takuar me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të cilët që nga mëngjesi nuk kanë pranuar të flasin për vizitën dhe nuk e kanë bërë publike agjendën e Cooperit. (LajmeShqip.com)