Tiranë- Duke nisur nga viti 2012, Shqipëria do të nisë liberalizimin e të drejtave të interkonjeksionit të linjave ndërkombëtare të energjisë elektrike.
Zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo shpjegon hapat që do të ndërmerren për këtë program liberalizimi, që përbën dhe një nga kushtet e anëtarësimit të vendit në BE.
“Kjo do të bëhet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme. Liberalizimi do të nisë në 2012, kur kuota e ekskluzivitetit të KESH-it do të zvogëlohet gradualisht”, tha Bozdo.
Aktualisht, KESH-i ka eskluzivitetin për 50% të kapacitetit të linjave transmetuese dhe 25% i ka CEZ-i, ndërsa është nxjerrë në tender kapaciteti tjetër prej 25%. Por sipas Bozdos, tenderat për shfrytëzimin e kapacitetit të lirë kanë dështuar pasi nuk ka pasur interes.
Ndërsa kuota e KESH-it do të zvogëlohet duke nisur nga 2012-ta e në vijim, Bozdo shpjegon se kompania CEZ do të vijojë të ruajë kuotën e saj prej 25% si një detyrim që rrjedh nga kontrata e privatizimit të sistemit të shpërndarjes.
Shqipëria disponon disa linja interkonjeksioni 400 Kv me vendet e rajonit, Greqinë dhe Malin e Zi, ndërsa është në ndërtim linja e tretë me Kosovën. Me lidhjen me Malin e Zi, vendi ynë do të jetë vend tranzit nga vendet e Ballkanit Verior drejt Greqisë, që aktualisht në rajon mbetet konsumatori më i rëndësishëm i energjisë elektrike të importuar.
Në shtator, ministria e Ekonomisë hodhi një hap drejt liberalizimit të tregut të konsumatorëve të mëdhenj të energjisë elektrike duke propozuar disa ndryshime ligjore, që i heqin KESH-it detyrimin për të furnizuar me çmim të përcaktuar nga ERE 7 kompani industriale, që konsumojnë mbi 50 milionë këh/vit.
Për vite me radhë, konsumatorët industrialë kanë blerë energji nga KESH me çmim 7 lekë/këh, ndërsa KESH-i detyrohej të importonte energji me çmim më të lartë, ose të përdorte prodhimin hidro. Pas ndryshimit ligjor, i gjithë prodhimi hidro do të përdoret për furnizimin e konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël, duke shmnagun rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorin familjar.
Duke nisur nga 2012-ta këta klientë do t’i drejtohen tregut privat për të blerë energji dhe KESH pritet të kursejë rreth 50 milionë euro në vit.
Sipas rregullave të BE-së dhe Traktatit të Energjisë të firmosur nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, linjat e transmetimit të energjisë duhet të jenë të hapura për të gjithë operatorët e interesuar.
Nisur nga fakti se linjat shqiptare të transmetimit janë të pamjaftueshme për të mbuluar gjithë nevojat e import-eksportit në periudha të ndryshme të vitit, e drejta e përdorimit të tyre duhet të jepet me tender.
Sekretariati i Energjisë në Vjenë, institucion i BE-së që mbikëqyr liberalizimin e tregut në Ballkan, i ka kërkuar Shqipërisë të hedhë hapat drejt liberalizimit të sistemit të interkonjeksioneve të energjisë elektrike dhe të njëjtën kërkesë u ka drejtuar dhe vendeve të tjera.
Tuesday, 25 October 2011 12:27