Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 14:08

Tiranë – Ministria e Ekonomisë do të zhvillojë në 29 Qershor garën e hapur për dhënien me konçesion të TEC-it të Fierit për biznesin privat, vendas apo të huaj.

Burime zyrtare nga METE bënë të ditur sot se konçesioni do të jetë i tipit BROT (Ndërtim, rehabilitim, operim dhe transferim).TEC-i i Fierit është hequr nga lista e pronave të KESH-it dhe si i tillë nuk konsiderohet objekt i rëndësisë së veçantë sipas vendimit Nr.84, datë 17.02.2007 të qeverisë.

Të gjithë procesin do të ndjekë sektori i lejeve dhe koncesioneve energjetike pranë Autoritetit Kontraktues në ministrinë e Ekonomisë. Ndërtimi i TEC-it në Fier nisi dy vjet pas atij të Azotikut në 25 nëntor 1964 në fushën me pambuk të Drizës, vetëm 5 km larg qytetit të Fierit, me teknologji kineze. Ky TEC ka fuqi të instaluar prej  99 MW dhe kapacitet prodhues 160.000 kwh/vit energji elektrike.

Për herë të parë, privatizimi i tij u tentua në 5 shtator 2007, kur u shpall hapja e procesit të koncesionit të rikonstruksionit të TEC-it të Fierit, por që rezultoi pa sukses. Vjet një grup biznesi nga Kina vizitoi këtë objekt dhe të tjerët rreth tij duke shfaqur interes për to. (LajmeShqip.com)