Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 13:32

Bulqizë-“Duam të shohim nëse shpërthimi ka ndodhur nga punimet për riparimin e minierës, apo nëse janë dhënë urdhëra për fillimin e punës nga kompania ACR.

Dokumentat janë marrë nga prokuroria dhe RISHM-i dhe shumë shpejt do të kemi një konkluzion mbi shkaqet e shpërthimit në minierën e Bulqizës”, deklaroi sot në media nga Bulqiza, zv/ministri i Ekonomisë, Nertian Alibali.

Alibali ndodhet nga dita e djeshme në minierën e Bulqizës, në krye të Task Forces të ngritur nga ministri i Ekonomisë, pas shpërthimit të gazit metan, dje rreth orës 10, ku si pasojë, një punëtor humbi jetën dhe 8 të tjerë u plagosën.

Alibali tha se në minierën e Bulqizës edhe dje ka pasur shkarkime të gazit të hidrogjenit, ç’ka ka vështirësuar punën e brigadës avaro-shpëtuese për pastrimin në minierë, pasi po punohet në një galeri me thellësi rreth 700 metra në nivelin e 16-të.

“Sipas urdhërit të ministrit të Ekonomisë, ekipet e kompanisë ACR dhe të RISHM-it duhet të bënin kontrollet për situatën e punës dhe sigurisë në minierë pas grevës së gjatë të minatorëve”, tha zv/ministri i ETE-s, Alibali.

Në Bulqizë aktualisht ndodhen dy grype pune, të cilat kanë për qëllim rehabilitimin e minierës dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për hetim.

Sipas Alibalit, grupi i parë po merret me degazifikimin e minierës për t’a pastruar nga lëndët toksike si dhe përgatitjen e saj për hetim, e më tej do të fillojë punën grupi i dytë për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

9 minatorë mbetën të plagosur në Buqlizë dhe 1 tjetër humbi jetën pas shpërthimit të gazit në galerinë 2 të minierës që menaxhohet nga kompania ACR.