Tiranë – Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës reagoi të premten për situatën e krijuar, ku CEZ Shpërndarje ka vendosur ndërprerjen e furnizimit të energjisë për ujësjellësat e disa prej qyteteve të Shqipërisë.
Zëvendësministri Sokol Dervishaj e konsideron këtë masë si një penalizim kolektiv që CEZ po u bën qytetarëve, duke kërkuar nga kompania që të reflektojë të tërhiqet nga ky veprim i tejskajshëm.
“CEZ me veprimet e veta po cënon sigurinë kombëtare. Institucionet i kanë hua CEZ-it 1 miliardë lekë, ndërsa CEZ-i i ka borxh shtetit 14 miliardë lekë”, theksoi Dervishaj.
Zyrtari i lartë i Qeverisë në konferencën për media u shpreh se nëse CEZ nuk tërhiqet nga veprimet e veta, atëherë Qeveria do të ndërmarrë veprimet e duhura.
CEZ: Policia po na sulmon
Kompania CEZ me anë të një deklarate sqaron se ndërprerjet e energjisë po bëhen bazuar në legjislacionin në fuqi ka të drejta të plota ligjore për të shkëputur dhe ndërprerë furnizimin me energji elektrike të çdo debitori, qoftë person privat apo publik.
Shoqëria nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë. Ne deklarate thuhet se policia e shtetit është duke ushtruar presion mbi punonjësit e saj.
CEZ eshte informuar se Policia e Shtetit ka marrë një urdhër për të shoqëruar cilindo nga punonjësit e kompanise, që është duke shkëputur nga rrjeti i shpërndarjes ndërmarrjet e ujësjellësve. Ne deklarate thuhet se CEZ i kërkon policisë të japë sqarime dhe deklarata publike mbi ekzistencën e këtij urdhri, i cili është arbitrar, abuziv dhe në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit dhe se do të ndiqen të gjitha hapat dhe procedurat ligjore përkatëse duke denoncuar pranë autoriteteve kompetente çdo punonjës policie për shpërdorim dhe abuzim me detyrën dhe funksionin publik, duke penguar aktivitetin e shoqërisë dhe punonjësit tanë në kryerjen e detyrave të tyre.
Nëse veprimet arbitrare, abuzive dhe të jashtëligjshme të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe/ose të mbështetura nga autoritete dhe institucione të tjera publike të shtetit shqiptar, do t’i konsiderojmë këto veprime si një formë indirekte dhe e jashtëligjshme shpronësimi duke qenë se Policia e Shtetit ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme në aktivitetin e shpërndarjes dhe i shkakton një dëm të konsiderueshëm shoqërisë.
Kompania nderkohe fton autoritetet përfshirë ERE, Qeverinë dhe Policinë e Shtetit të mbështesin veprimet e shoqërisë në shkëputjen e debitorëve, të cilët me mospagesën e përsëritur të faturave të energjisë elektrike kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të shoqërisë me pasoja të pallogaritshme për konsumatorët e ndershëm që paguajnë rregullisht faturat e tyre të energjisë.
FRD: Qeveria e zhytur në korrupsion
Fryma e RE Demokratike ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj mënyrës se si po zhvillohen ngjarjet në vend në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Stavri Ristani, drejtues i Departamentit të Infrastrukturës dhe ish-zëvendësministër i Punëve Publike u shpreh se me masën e marrë nga CEZ popullsia e ketyre zonave ku është ndërprerë furnizimi, por edhe spitalet, kopshtet, çerdhet e fëmijëve, institucionet shtetërore dhe jo shtetërore, nuk do të kenë furnizim me mallin më jetik, ujin e pijshëm.
“Pavarësisht veprimit të paralajmëruar nga kompania CEZ, ndërprerja e energjisë dhe, për pasojë edhe e ujit të pijshëm, është një dëshmi e qartë e dështimit të qeverisë në reformat në sektorin energjitik dhe të ujit të pijshëm”, tha Ristani.
Ristani theksoi se Qeveria shqiptare, e zhytur totalisht në korrupsion dhe pa-aftësi, po i lë qytetarët shqiptarë pa energji dhe ujë të pijshëm, duke iu mohuar atyre këto të drejta dhe nevoja bazike për jetën.
CEZ ndërpret furnizimin në shumë qytete
Ashtu siç ishte paralajmëruar, CEZ mëngjesin e së premtes ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për ujësjellësat e qyteteve të Elbasanit, Durrësit, Sarandës dhe Lacit. Për pasojë këto qytete kanë mbetur pa ujë të pijshëm.
“Shuma që i detyrohen CEZ Shpërndarjes kompanitë e ujësjellësit tashmë ka arritur lartësinë e 5.4 miliardë lekë. Këto kompani janë njoftuar herë pas here për borxhet e tyre ndaj CEZ Shpërndarje dhe afatet për pagesën e borxhit janë shtyrë disa herë“,- thuhet në njoftimin e CEZ Shpërndarje.
Kompania thote se ka kryer takime të shumta me përfaqësues të kompanive të ujësjellësit duke ofruar mundësi të ndryshme zgjidhjeje si skema lehtësuese për shlyerjen e debisë me këste dhe mundësinë e pagesës së pjesshme të debisë. CEZ gjithashtu thekson se ka ofruar dhe anullimin e borxheve të kompanive të ujësjellësit përkundrejt borxhit që CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it, gjë që fatkeqësisht është refuzuar gjithashtu.
Ky aksion i CEZ eshte shoqeruar me incidente ne Sarande, Vlorë dhe Elbasan, ku eshte dashur edhe nderhyrja e policise.
Nderkohe nje dite me pare qeveria, permes ministrit të Ekonomisë Edmod Haxhinasto deklaroi se nuk do te lejoje qe kompania CEZ te shkoje deri ne vendimin per te nderprere furnzimin me energjii te ujesjellesave. Haxhinasto deklaroi se agjensitet nen varesine e qeverise dhe ERE po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mos e lejuar ndërprjen e energjisë per ujesjellesat. (T.Ch)
Friday, 16 November 2012 15:01