Tiranë- Një ditë përpara seancës në Gjykatën e Lartë, ku prokuroria do të japë pretencën në procesin gjyqësor në ngarkim të tij lidhur me video përgjimin e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se proçesi gjyqësor kundër tij është një çështje të rëndomtë që i përket së shkuarës.
“Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje tashmë ordinere që i takojnë vitit të kaluar. Jemi këtu për t’u marrë me çështje të mëdha dhe tepër serioze që i takojnë të ardhmes. Ju siguroj se angazhimi dhe performanca e LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes do të jetë vërtet tepër premtuese”, deklaroi Meta.”-tha Meta para gazetarwve.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se “viti 2012 do të jetë një vit i jashtëzakonshëm për shqiptarët”.
Meta theksoi në një konferencë për shtyp se kryefjala e angazhimit të LSI-së do të vazhdojë të mbetet integrimi europian.
“Kryefjala e angazhimit tonë do të vazhdojë të mbetet integrimi europian, bashkëpunimi me të gjithë faktorët dhe grupet e interesuara në këtë vend, për të çuar para projektin e të gjithë shqiptarëve”, tha Meta.
“Unë jam i sigurtë se ky do të jetë një vit i mbarë. Edhe 100 vjetori i Pavarësisë dhe i shtetit i fton të gjithë për mbarësi”, theksoi kreu i LSI-së.
Gjithashtu Meta bëri të ditur se ka filluar procesi i zgjedhjeve të brendshme në LSI. “Janë zhvilluar disa konferenca dhe do të zhvillohet Konventa Kombëtare e LSI-së”, tha Meta.
Lidhur me faktin nëse do të jetë sërish kandidat për të qenë në krye të LSI-së, Meta tha se “nuk ka se pse të mos jem për aq kohë sa në 8 maj LSI arriti një rritje spektakolare në raport me zgjedhjet e vitit 2009, me mbi 40 mijë vota”.
Meta u shpreh i bindur se do të ketë dhe kandidatura të tjera.”Të gjithë janë të mirëpritur që të zhvillojnë alternativat e tyre në të mirë të këtyre objektivave që unë sapo theksova”, tha Meta. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 January 2012 20:43