Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 11:54

Tiranë – Presidenti i ardhshëm do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës”, deklaroi mbrëmjen e djeshme lider i LSI-së Ilir Meta ndërsa theksoi se për forcën politike që ai drejton më i rëndësishëm është procesi i zgjedhjes së Presidentit sesa vetë emri.

Gjatë një interviste televizive, Meta u shpreh se e rëndësishme është që Presidenti i ardhshëm duhet të jetë njeri me integritet dhe përfaqësues i të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia partiake që mund të ketë pasur në të kaluarën.

Lidhur me pretendimet e opozitës për të zgjedhur një president konsensual,kreu i LSI-së u shpreh se PS ia hoqi këtë mundësi vetes me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

“Presidenti do të zgjidhet në bazë të Kushtetutës, por konsensusi është i mirëpritur. Megjithatë, për shkak të konsensusit nuk do të thotë që të mos kemi president”, shtoi Meta.

Ndërkohë, Meta është nisur sot për një vizitë pune në SHBA, i ftuar të mbajë fjalën në një konferencë për Europën Juglindore. Meta e cilësoi këtë udhëtim një vizitë të programuar dhe tepër normale.