Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 09:48

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh mbrëmë në Korçë, gjatë në takimi me strukturat e LSI në këtë qytet, në 7-vjetorin e themelimit të degës së kësaj partie, se për politikën shqiptare është koha për bashkim për të plotësuar 12 kushtet e BE.

Meta falenderoi strukturat e LSI në Korçë për angazhimin e suksesshëm në zgjedhjet e 8 majit, ku sipas tij, “LSI, edhe në qytetin dhe rrethin e Korçës dhe në të gjithë qarkun, arriti një rezultat shumë më të mirë sesa në zgjedhjet e vitit 2009”. Ai theksoi se “koha na ka dhënë të drejtë në qendrimet tona për kodin dhe kushtetutën”.

Meta theksoi se LSI është partia e integrimit në BE. Sipas tij, është koha që politika të lërë mënjanë sherret pavlerë, është koha për bashkim për të plotesuar 12 kushtet e BE.
Ai ripërsëriti apelin për platformën kombëtare për integrim. “Jemi këtu për të treguar pikërisht që të mos vonohemi edhe më për të fituar statusin e vendit kandidat në BE. Kemi apeluar prej muajsh për një Pakt Kombëtar për integrimin. I kemi të qarta të 12-të prioritetet dhe rekomandimet apo mund të quajmë edhe kushtet apo standardet e Bashkimit Evropian. Këto angazhime kërkojnë një përgjegjshmëri edhe më të madhe nga të gjithë dhe në radhë të parë nga vetë opozita”, tha Meta.

Sipas tij, 12 kushtet e BE nuk plotësohen me kushte ndaj njëri-tjetrit. “Nuk mund t’i vëmë njëri-tjetrit kushte mbi kushtet për një proces i cili është interesi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, sikurse është integrimi evropian i Shqipërisë. Tani është koha për reforma, është koha për bashkëpunim, pasi zgjedhjet e ardhshme janë shumë larg, pas 2 vitesh, dhe do të kemi kohë përsëri për të bërë fushatë, por tani të gjithë duhet të bashkohemi në një fushatë të përbashkët për të plotësuar detyrimet e Bashkimit Evropian”, u shpreh kreu i LSI.

Sipas Metës, çdo minutë e humbur për integrimin, është kohë e humbur për të gjithë shqiptarët. “Jemi vonuar pa të drejtë në këtë proces. Nuk është koha tani për të akuzuar njëri-tjetrin dhe për të faturuar fajësinë apo përgjegjësinë e njëri apo tjetrit se kjo nuk i ndihmon shqiptarët, nuk i ndihmon as socialistët apo demokratët dhe as të gjithë ata të cilët nuk janë të angazhuar në forca të tjera politike. Tani është koha për të plotësuar standardet që kërkon Bashkimi Evropian”, tha Meta.

Sipas tij, “ky është interes qytetar, ky është interes kombëtar për secilin ndaj nesh, pa dallim nga përkatësia partiake dhe natyrisht që sa më shpejt t’i realizojmë këto detyrime aq më mirë është për të gjithë”.

Meta gjithashtu shpërndau kartat e anëtarësisë për 300 anëtarët e rinj të LSI-së në Korçë, duke i quajtur si “urimi më i mirë”.