Tiranë- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta i bëri apel sot, të gjitha forcave politike në Shqipëri që të bëhen ndihmesë dhe jo pengesë në procesin e integrimit europian të vendit. Një ditë para votimeve për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së sipas parimit një anëtar-një votë, kreu aktual i kësaj force politike dhe kandidati për këtë post, Luan Rama zhvilluan një takim me 400 anëtarë të rinj të LSI-së në njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet.
Meta tha se “LSI është forcë e së ardhmes dhe pikërisht gjenerata e re nuk e kupton dot se pse është kaq e vështirë që partitë parlamentare në Shqipëri të votojnë dy projektligje të gatshme dhe sipas standardeve europiane dhe një rregullore parlamenti që gjithashtu është e tillë, në mënyrë që të mos ketë më pengesa për marrjen e statusit kandidat në BE”. Sipas tij, “kjo është një kërkesë e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve partiake”.
“Sot në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-udhëheqës i UÇK-së u takua me kryeministrin e Serbisë, Daçiç, pasues i lidershipit që udhëhoqi genocidin në Kosovë. Kjo ndodhi me ndërmjetësimin e përfaqësuesve më të lartë të BE-së, pasi drejtuesit janë në këto pozicione pikërisht për të marrë përsipër përgjegjësitë e tyre”, tha Meta, duke përshëndetur këtë takim.
Ndërkohë sipas tij, “në Shqipëri është kaq e vështirë që ne të miratojmë ligjin për Gjykatën e Lartë dhe statusin e nëpunësit civil dhe një rregullore parlamenti që garanton të drejtat e të gjitha palëve”. “Është e papranueshme që të shohim një kokëfortësi dhe egoizëm të tillë, që pengon një aspiratë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, siç është anëtarësimi i vendit në BE”, tha ai
Meta u bëri apel forcave politike që të marrin kurajo nga takimi Thaçi-Daçiç dhe të tregojnë përgjegjshmëri maksimale ndaj vendit dhe kombit në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Sipas tij “sot politika duhet të përqendrohet tek politikat ekonomike, nxitja e punësimit, investimeve dhe zhvillimit të vendit”. “Nesër është një ditë votimi. Votoni nesër për LSI-në për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët që të ecin më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe integrimit”, tha në përfundim Meta. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 October 2012 22:35