Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 09:00

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka bërë të qartë aleatit të tij në qeverisje Sali Berisha se pa të nuk qëndron dot në pushtet dhe nuk arrin dot të bëjë votime në Kuvend, për shkak të votave të LSI-së të cilat i mundësojnë shumicën e thjeshtë.

Në këtë prizëm ai i ka bërë të qartë atij se as presidentin e ardhshëm nuk e zgjedh dot pa LSI-në. Meta duke folur në Ora News i ka kujtuar Berishës marrëveshjen që ka firmosur me LSI-në në vitin 2009, ku sipas tij flitet dhe për zgjedhjen e presidentit të ri, që siç duken gjasat do të jetë një emër nga LSI-ja.

Meta me kujdes i ka bërë bisht komenteve për kandidaturën e Fatos Nanos duke thënë më tej se LSI nuk ka një po disa emra që mund t’i ofrojë si president.

“Dëshira jonë për të qëndruar larg spekulimeve për presidentin ka të bëjë me vlerësimin tonë si LSI se është një çështje e parakohshme, do diskutohet në fund të muajit qershor e korrik. Së dyti ne nuk duam të bëhemi pjesë e spekulimeve, do jemi pjesë e zgjidhjes kur kjo çështje të vendoset për tu diskutuar”.

Ai më tej ka shtuar se presidenti i ri mund të zgjidhet nga mazhoranca, pa përjashtuar asnjë forcë. “Absolutisht që LSI ka jo një, por shumë emra, që mund ta kryenin një detyrë të tillë, por është një derë e hapur, secili që do të ketë mbështetjen e 20 deputetëve. Ne kemi një marrëveshje me PD-në për këtë çështje, kemi një angazhim për ta zgjidhur së bashku. Kemi një detyrim për shkak të marrëveshjes për ta diskutuar me PD-në dhe në një moment të caktuar do jenë forumet e LSI-së që do marrin vendimin.”

I pyetur për Nanon ai tha se “është një e drejtë e tij duke qenë se ai është politikan me përvojë, ai i di mirë arsyet pse ka zgjedhur këtë moment, për të afishuar kandidimin e tij”, duke mos pranuar të deklarojë mbështetjen ose jo të LSI-së për emrin e tij.

Meta e ka cilësuar koalicionin me PD-në më të mirë se sa mund të jetë parashikuar, por tha se ka akoma shumë mundësi që ai të bëhet më funksional në qeverisje. Ndërsa ka shprehur keqardhje për përjashtimin e Kastriot Islamit, ka thënë se figura e tij do i bënte nder LSI-së dhe i ka lënë derën hapur për të shkuar tek kjo parti.