Prishtinë-Në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, besimtarët e fesë katolike shënuan të premten pas mesnate festën e Krishtlindjes.
Me këngë, lutje dhe lexime të vargjeve biblike, u mbajt mesha tradicionale e Krishtlindjeve. Të pranishmit thanë se Krishtlindjet u kujtojnë më shumë se kurrë se sa duhet të kenë dashuri njerëzit në mes vete.
Don Oreste, nga Italia, tha se që 2 mijë vjet, Krishtlindjet na bëjnë të ndihemi më miqësorë dhe më të dashur.
“Krishti që 2 mijë vjet ka qenë në mes nesh. Prej tij të gjithë njerëzit e botës duhet të miqësohemi dhe ta duam njëri tjetrin, sepse ai na ka dashur”, u shpreh Oreste.
Mesazhe për paqe, solidarizim dhe unitet përcolli gjatë ceremonisë për Krishtlindjet e sivjetme Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji.
Ai gjithashtu tha se askush nuk do të mund të ndryshojë identitetin e popullit shqiptar.
“Dua t’ua kujtoj se sido që të bëjnë në letra dhe në libra, ata kurrë nuk do të mund të ndryshojnë qëndresën tonë për të besuar të vërtetën”, tha ai.
Mesazhe urimi për Krishtlindje, të gjithë besimtarëve të krishterë u përcolli edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte e pranishme në meshë.
“Kërshëndellat na gjejnë të lirë dhe të pavarur në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë sipas parimeve të drejta të njerëzimit, të lirisë e të barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim, për ta bërë atdheun tonë, Kosovën, një vend të përparuar e demokratik, një vend të dashur për ne dhe për brezat që vijnë”.
“Në këtë ditë të lume, rreth sofrave plot, të kujtojmë të gjithë martirët, ata që u shkrinë për popullin e atdheun, që dhanë më të shtrenjtën, që ne sot ta gëzojmë lirinë e të jetojmë me dinjitet në trojet tona”, kishte thënë presidentja në një telegram urimi.
Krishtlindja është festë, përmes së cilës përkujtohet lindja e figurës qendrore të krishterimit – Jezu Krishtit. Edhe pse hyn në radhën e festave katolike, Krishtlindja gjithashtu festohet nga një numër në rritje i jo të krishterëve në mbarë botën.
Në Kosovë Krishtlindja festohet tradicionalisht nga qytetarë të besimeve të ndryshme. (REL)
Sunday, 25 December 2011 15:53