Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 10:01

Davos – Në hapjen e djeshme të edicionit të 42-të Forumit ekonomik botëror në Davos, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se bota nuk ka nxjerrë mësime të mjaftueshme nga kriza financiare e vitit 2008.

“Mësimet ende nuk janë plotësisht të mjaftueshme,” tha Merkel në fjalimin e saj në Forumin e sivjetëm ekonomik botëror në Davos.

Merkel shtoi se është e zhgënjyer nga përpjekjet e pasuksesshme që të vendoset tatimi global ndaj transaksioneve financiare, të cilat do të jenë “sinjal i fuqishëm politik” deri tek qytetarët. Po ashtu, nuk është arritur edhe përparimi i mjaftueshëm në negociatat për klimën.

“Gjermania nuk dëshiron që të merr angazhime, të cilat nuk do t’i realizojë për rregullimin e krizës debitore në eurozonë, por është e gatshme që të shprehë solidaritet dhe ta mbrojë euron,” tha Merkel në fjalimin në Davos.

Në forum, i cili tradicionalisht mbledh politikën botërore dhe elitën e biznesit në vendpushimin dimëror të Zvicrës, Davos, këtë vit morën pjesë 2.500 biznesmenë, politikanë, udhëheqës të organizatave joqeveritare, shkencëtarë dhe gazetarë nga tërë bota.