Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 15:50

Tiranë – Nëntetar Aleksandër Pecit, i plagosur në krye të detyrës më 20 shkurt 2012, gjatë misionit në Kandahar (Afganistan), iu akordua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, “Medalja e Artë e Shqiponjës”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast,  shefi i Shtabit të FA-së, gjen/major Xhemal Gjunkshi, i dorëzoi nëntetar Pecit “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për aktin e shquar patriotik dhe qytetar të treguar, duke shërbyer me besnikëri, trimëri dhe nder, deri në vënien në rrezik të jetës, në detyrën fisnike të ushtarakut të Republikës së Shqipërisë”.

Gjen/major Gjunkshi theksoi se ky vlerësim që i bëhet Aleksandrit, është vlerësim dhe për gjithë efektivat e ushtrisë shqiptare, sidomos për trupat tanë që shërbejnë me mision jashtë atdheut. 

Shefi i shtabit të Përgjithshëm të FA-së vuri në dukje vlerësimet maksimale të shprehura ndaj aktit të nëntetar Pecit edhe nga vendet partnere e në veçanti SHBA. “Nëntetar Peci pati vlerësim maksimal të partnerëve tanë, si dhe mbështetjen e veçantë të Forcave të Ushtrisë Amerikane”, tha ai.

Nëntetar Peci shprehu falenderimet e tij për vlerësimin që i bëhet nga Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura,  Bamir Topi, por edhe për vlerësimet që i janë bërë nga qeveria shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, si dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.  

Nëntetar Aleksandër Peci, pjesëtar i Forcave Speciale të FA Shqiptare që veprojnë në Afganistan, mbeti i plagosur rëndë më 20 shkurt 2012, gjatë kryerjes së misionit në zonën e Kandaharit, ndërsa kapiten Feti Vogli ra heroikisht dhe është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. (LajmeShqip.com)