Mitrovicë – Janë raportuar dëmet e mbrëmshme që i kanë shkaktuar serbët ekstremistë në veri të Mitrovicës, pas zhvillimeve dramatike të ditës, kur KFOR ndërhyri në mbylljen e rrugëve ilegale alternative në veri. Ata thyen dhe dogjën dyqane, demoluan makina të EULEX-it dhe vazhduan me dhunë ndaj pronës publike.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona, të punësuar si zyrtarë të organizatës ndërkombëtare në Kosovë, EULEX, në dy raste të ndara, kanë raportuar për dëme materiale në automjetet e tyre zyrtare të shkaktuara në veri të Mitrovicës.
Rasti i parë është raportuar rreth orës 18:00, ndërsa ankuesi zyrtar i EULEX-it, ka njoftuar policinë e Kosovës në veri të Mitrovicës, për dëmin e shkaktuar gjatë një intervali kohor të papërcaktuar, në rrugën “Mbreti Petër”, nga grupi i personave të panjohur.
Rasti i dytë i sulmit dhe dëmeve të shkaktuara është raportuar rreth orës 18:30, ndërsa ankuesi, zyrtar i komponentës policore të EULEX-it, ka njoftuar se grupi i personave të panjohur kishin sulmuar automjetin e tij në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës, ka regjistruar dëmet e shkaktuara edhe në automjetin e tipit “Toyota”, me targa zyrtare të “EULEX-it”.
Dëme materiale në parafango, retrovizorin e djathtë, xhamin e pasmë të anës së majtë dhe shtypje në derën e djathtë të automjetit, janë evidentuar nga policia gjatë procedimit me rastin. Nuk është raportuar për lëndime të shkaktuara ndaj ankuesve të këtij rasti.
Rastet janë regjistruar në stacionin policor në veri të Mitrovicës, ndërsa pas kontaktit me prokurorin publik të Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, rastet janë kualifikuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare”, të paraparë sipas nenit 141 paragrafi 3, i Kodit Penal të Kosovës.
Dy raste tjera të ndara të dëmtimit të pronës në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës, janë regjistruar në mesnatë.
Rreth njëzet minuta pas mesnate, Policia e Kosovës ka pranuar një informatë për dëmtim, demolim të xhamave të bankës “KEP”, nga një grup i personave ende të paidentifikuar. Vlerësimi preliminar i dëmeve të shkaktuara në këtë rast, konsiderohet të jetë rreth 1000 (njëmijë) euro.
Rasti i dytë kriminal i dëmtimit të pronës me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm është regjistruar pak çaste më vonë. Ankuesi 46-vjeçar, i përkatësisë etnike serbe, ka njoftuar policinë se një grup prej së paku gjashtë personash, të maskuar, kanë demoluar dy lokale, pronë private të ankuesit.
Lokalet “International Bussines College” dhe “Sidro”, janë kapluar në zjarr pasi grupi i personave fillimisht kishin thyer xhamat e lokaleve dhe më pas u kanë vënë zjarrin.
Besohet se është përdorur përzierje ndezëse (koktej molotovi) ndërsa zjarri është shuar nga vetë ankuesi, i cili kishte reaguar me kohë për të shuar zjarrin e një intensiteti të ulët.
Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës, ka iniciuar hetimet për rastet e regjistruara ndërsa nuk është raportuar për persona të arrestuar deri më tani. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 September 2011 11:31