Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 09:55

Kakavijë – Mbi 5000 emigrantë dhe 1200 automjete kanë dalë nga territori shqiptar gjatë 14 orëve të fundit nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kakavijës, 25 km larg qytetit të Gjirokastrës.

Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës pohuan sot për ATSH-në se “po gjatë kësaj periudhe kanë hyrë 2890 persona, 545 automjete, si dhe 40 autobusë të linjës ndërkombëtare Athinë (Greqi)- Tiranë”.

“Aktualisht, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës fluksi i emigrantëve shqiptarë që rikthehen pranë vendeve të tyre të punës paraqitet normal”, shprehet nëpërmjet linjës telefonike Gentian Mullai, zëdhënësi i policisë lokale.

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe “Tre Urat”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit.

Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.