Prishtinë – (E plotësuar) Rreth 34 mijë maturantë kosovarë iu nënshtruan pjesës së parë të provimit të maturës, në 305 qendra të testimit në gjithë vendin.
Me këtë rast, si njofton MASHT-i, ministri i Arsimit, Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri, Nehat Mustafa, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Halim Halimi, kanë vizituar maturantët që i janë nënshtruar provimit të maturës në qendrën e testimit në shkollën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.
Aty, ministri Buja ka parë nga afër se si po shkon procesi i testimit dhe ka bashkëbiseduar shkurt me maturantët rreth shqetësimeve të tyre në lidhje me këtë test.
Më pas, në një prononcim për media, ministri Buja tha se sot kanë ankth jo vetëm këta nxënës që janë në testin e maturës, por edhe prindërit.“Unë ju them se nuk duhet ta kenë këtë ankth, sepse janë siguruar të gjitha kushtet që është dashur të sigurohen, të gjitha përgatitjet janë bërë që ky testim të shkojë sa më mirë, duke përfshirë këtu edhe gjithë nivelin pedagogjik arsimor dhe teknik”, tha ai.
Si probleme që janë shfaqur sot, Buja përmendi Skenderaj, ku në shenjë revolte për paraburgimet e shtatë ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, nuk kanë dashur t’i nënshtrohen testit, ndërsa në Obliliq ka pasur një vonesë të vogël.
Pjesa e dytë e testit, ku do të ketë pyetje nga lëndët më të përafërta me drejtimin, do të mbahet më 15 qershor.
Rezultatet e provimit të maturës do të shpallen më 24 qershor. Më pas, maturantët do të kenë tre ditë afat që të ankohen dhe më 28 qershor do të bëhet edhe publikimi i rezultateve të ankesave.
Ata që nuk do të mund të arrijnë pragun e kalueshmërisë prej 50 për qind kësaj radhe, do ta kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit.
Mbahet testi i maturës
Rreth 30 mijë maturantë nga e gjithë Kosova që nga ora 8:00 u janë drejtuar shkollave të tyre, për t’iu nënshtruar testit të maturës, i cili organizohet në 305 qendra të testimit. Të gjitha profilet e arsimit, sot do t’i nënshtrohen testit në lëndët Gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë, ndërsa më 15 qershor do t’i nënshtrohen provimit nga lëndët profesionale, sipas profileve përkatëse. Publikimi i rezultateve do të bëhet më 24 qershor.
Testi i maturës bojkotohet në Skënderaj
Ndërkohë maturantët e shkollave të mesme të Komunës se Skenderajt, po e bojkotojnë fillimin e testit të maturës, në shenjë pakënaqësie për shndërrimin e arrestit shtëpiak në mas paraburgimi për drejtuesit dhe pjesëtarët e ish UÇK-së, të njohur si “Grupi I Drenicës, njofton Koha.
Maturantët kanë mbajtur në duar pankarte me mbishkrimet “Kush i vrau mësuesit e Drenicës”, “Kush i dogji shkollat”, “Uncle Sami”, etj, derisa brohorisnin “Sami Lushtaku”, “UÇK, UÇK”.
Saturday, 01 June 2013 12:54