Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 19:20

Tiranë – Pas votimit të projekligjit për aksizat , ka reaguar edhe deputeti socialist Saimir Tahiri. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist tha se, ky votim është nul juridik , pasi deputetët e opozitës i hoqën kartat në momentin e votimit, ndërkohë që edhe sipas Gjykatës Kushtetuese , që një votim të quhet i plotë duhen 71 vota.

“Më lejoni të them, se ju, ne, publiku u bë dëshmitar i një tjetër votimi antikushtetues, në shkelje të rregullores në Kuvendin e Shqipërisë. Ju e dini shumë mirë, që Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit, por edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për rastin Becja, parashikojnë në mënyrë eksplicite, se në sallën e Kuvendit duhet të jenë 71 deputetë për tu zhvilluar votimi. Në këtë rast ligji për akcizat, kaloi sic dhe ju e patë me 68 vota, gjë që e bën këtë votim antikushtetues, në kundërshtim me rregulloren. Pra jemi përpara një votimi nul, nga pikëpamja juridike, ndërsa nga pikëpamja politike jemi para një dështimi, që tregon fundosjen e mazhorancës”,- deklaroi Tahiri.

Kuvendi miratoi sot në seancën plenare me 68 vota pro, pa pjesëmarrjen e opozitës në këtë votim, ndryshimet në p/ligjin “Për akcizat”, që zëvendëson ligjin e vitit 2003, që ka si risi kryesore që administrimi i akcizës për prodhimin vendas dhe importin të bëhet nga Dogana.

Ligji “Për akcizat” parashikon që duke nisur nga data 1 tetor, taksa e akcizës të administrohet vetëm nga dogana. Ndryshimet ligjore synojnë të përafrojë standardet e kërkuara nga BE dhe unifikojnë procedurat dhe standardet dhe u hartuan me ndihmën e BE-së, në kuadër të programit IPA 2007. (LajmeShqip.com)