Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 18:20

Tiranë- Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten në seancë plenare me 70 vota pro, 61 kundër dhe 3 abstenime dekretin e Presidentit të Republikës që propozon kandidaturën e Bujar Leskajt për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).

Bujar Leskaj, deputet i Partisë Demokatike në legjislaturën e kaluar, ka mbajtur postin e ministrit të Kulturës në vitet 2005-2009.

Dekretimi i emrit të Bujar Lesksajt si kreu i ri i KLSH-së u bë nga Presidenti Topi më 17 nëntor, pas rrëzimit të Sali Shehut, i dekretuar më parë si kandidat për këtë post.

Opozita ashtu siç kishte deklaruar nuk votoi propozimin e presidentit Topi për kreun e Këshillit të Lartë të Shtetit.

Sipas ligjit “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, kryetari i këtij institucioni ka një mandat shtatëvjeçar.

Leskaj vjen në këtë post pas mbarimit të mandatit të Robert Çekut që drejtoi këtë institucion nga viti 2004 deri më 28 tetor të këtij viti. (LajmeShqip.com)