Tiranë – Disa grupe vajzash trokasin pranë familjeve në zona të ndryshme në Tiranë dhe kërkojnë para për fëmijët autik, duke u prezantuar si përfaqësuese të fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” dhe të Presidentes së tij, bashkëshortes së Kryeministrit, Liri Berisha.
“Ky fenomen i njoftuar nga qytetarët e Tiranës, është krejtësisht abuziv dhe këta individë nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”. Gjithashtu, kërkojmë prej strukturave përkatëse që kryesisht të hetojnë këto veprime abuzive,” thuhet në njoftimin për shtyp të Fondacionit.
Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” pritet të inaugurojë brenda këtij muaji “Qendrën Rajonale të Autizmit në Shqipëri”. Prej disa vitesh fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”, organizatë jo-qeveritare e jo-fitimprurëse, dhe personalisht Znj. Berisha i kanë dedikuar kohën dhe vëmendjen maksimale fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe familjeve të tyre. Puna ka qenë e përqendruar në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për këto çrregullime dhe në ofrimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre.
Veprimtaria e fondacionit është mbështetur fuqimisht nga donacionet direkte të biznesit shqiptar dhe atij të huaj si dhe nga shumë organizata partnere ndërkombëtare. Kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e strukturuar, institucionale dhe transparente, gjë e cila ka ndihmuar fondacionin të ketë arritje pozitive si në rrafshin kombëtar, në atë rajonal e më gjerë.
Thursday, 10 November 2011 16:20