Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 08:02

Tiranë – Shqipëria do të jetë pjesë e operacioneve në menaxhimin e  krizave të udhëhequra nga BE, falë një marrëveshjeje të firmosur në Bruksel nga kryediplomati shqiptar dhe Pierre Vimont, sekretar i përgjithshëm ekzekutiv i shërbimit të jashtëm europian.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, e konsideron këtë marrëveshje një moment historik në marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë. 

Ai vlerëson se marrëveshja do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin ndërsa përbën një hap konkret në kontributin e Shqipërisë në politikën e jashtme dhe sigurisë së BE.

Nga ana e tij, Vimont vë në dukje se kjo marrëveshje shënon një hap përpara në zhvillimin e marrëdhëdhieve mes Shqipërisë dhe BE-së dhe përmes së cilës Shqipëria mund të japë kontributin e vet në misionet e rëndësishme të BE-së në fushën e menaxhimit të krizave.
Gjithashtu ai ka vlerësuar  angazhimin e vazhdueshëm të vendit tonë në pjesëmarrjen e operacioneve të drejtuara nga BE në Bosnje-Hercegovinë, Çad dhe Afrikën Qëndrore dhe veçanërisht, qasjen konstruktive të Shqipërisë në Ballkanin  Perëndimor dhe më gjerë. (LajmeShqip.com)