Tiranë – “Që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive në progres raportin e tetorit, integrimi europian duhet të konsiderohet si një cështje kombëtare jo vetëm e klasës politike”, theksoi ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou Marcoullis në konferencën e përbashkët me ministrin e jashtëm Panariti. Ministrja e jashtme e Qipros, shtet i cili ka dhe kryesinë e radhës së BE-së, nisi sot takimet zyrtare në kuadër të vizitës së saj dy ditore.
“Stabiliteti politik është i rëndësishëm për t’i hapur rrugë reformave. Intetgrimi duhet të jetë cështje kombëtare dhe jo partiake”- nënvizoi Marcoulis
Nga ana e tij Ministri i jashtem Panariti i pyetur nga A1 Report nëse mjaftojnë 2 muaj kohë për të përfunduar reformat e duhura për marrjen e statusit, apo do e humbasim sërish shansin, Panariti shprehu optimizmin pasi sipas tij Shqipëria ka arritur një progres jo vetëm në realizimin e prioriteteve, por edhe në zbatimin konkret të tyre, të cilat do të prodhojnë një opinion pozitiv.
Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou Marcoullis, vendi i së cilës mban presidencën e BE-së, gjatë takimit në Tiranë me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli theksoi nevojën e bashkëpunimit mes forcave politike, në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat, nga Shqipëria. “Unë jam në Shqipëri për t’iu inkurajuar për punën e madhe që keni bërë në realizimin e reformave dhe për t’iu nxitur njëkohësisht për të ecur përpara në plotësimin e paketës së kritereve të Brukselit. Presidenca jonë në BE do të mbështesë çdo hap të Shqipërisë drejt bashkimit në familjen europiane dhe për këtë duhet dhe bashkëpunimi juaj këtu në Shqipëri në realizimin e reformave të tjera që presin të miratohen” u shpreh Ministrja e Jashtme, Marcoulis.
Ministrja Marcoullis e vuri theksin tek rëndësia që ka vullneti dhe bashkëpunimi midis forcave politike, të cilat sipas saj duhet t’i shohin reformat e integrimit si çështje kombëtare dhe jo si çështje partiake duke bërë çdo gjë për t’i dhënë popullit shqiptar statusin e vendit kandidat, si një dhuratë të merituar. “Koha është tani! Nëse ka vullnet mund të arrihet gjithçka. Ju keni bërë hapa të rëndësishëm në plotësimin e detyrimeve për integrimin europian, por reforma të tjera duhet të ndërmerren. Në ditët e ardhshme ju duhet t’i tregoni vendeve anëtare të BE-së, se ju po punoni dhe se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Keni kaluar reforma të rëndësishme, kodi elektoral ka qenë thelbësor, po aq sa ç’është edhe heqja apo kufizimi i imunitetit. Këto janë çështje, për të cilat, momenti është tani që t’i realizoni. Këto janë çështje, të cilat duhet të jenë objektiv kombëtar dhe jo thjeshtë çështje partiake” u shpreh ministrja e Jashtme e Qipros, gjatë vizitës së sotme në Tiranë.
Zonja Marcoulis gjatë qëndrimit në Tiranë është takuar edhe me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 31 July 2012 15:35