Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 16:00

Shkup- Aleanca e Atlantikut Verior në çdo dy vite apo edhe tre vite zakonisht mban Samitet apo Takimet e niveleve të larta për të shqyrtuar, analizuar dhe sjellë vendime të reja lidhur me misionin dhe funksionin e kësaj organizate për mbrojtje dhe siguri globale. 

Vendimet e Aleancës miratohet me konsensus të plotë të 28 vendeve anëtare, ashtu çdo vendim kundërshtues nga Greqia do të pamundësojë anëtarësimin e Maqedonisë. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Klinton ka deklaruar në Çikago se Samiti i ardhshëm do të ketë si synim zgjerimin dhe pranimin e anëtarëve të reja, duke përmendur katër shtetet kandidate: Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë – Hercegovinën dhe Gjeorgjinë. 

Për Maqedoninë, sekretarja Klinton ka përmendur nevojën për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë dhe pastaj marrjen e ftesës. Mediat greke kanë paralajmëruar se pa zgjidhjen e emrit, Shkupi do të ngelet jashtë agjendës së pranimit në NATO. 

Samiti i radhës i NATO-s është paralajmëruar për 2014, duke paralajmëruar edhe sfida të reja për Aleancën e Atlantikut Verior. Maqedonia tashmë ka humbur dy Samite të radhës, ate të Bukureshtit dhe të Çikagos, duke mos u radhitur si anëtare e Aleancës, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë. (LajmeShqip.com)