Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 18:27

Shkup – Bashkëpunimi i mirë dhe intensiv midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës, bashkëpunimi ndërkufitar, këmbimi i përvojave midis Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, kanë qenë temat për të cilat biseduan ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi.

Ministri Bejta dhe ambasadori Durmishi theks të veçantë i vunë bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërtimit të pikës së re kufitare Bellanoc-Tançiq, midis dy vende.

“Ambasadorin e Republikës së Kosovës, e njoftuam me projektet nga fondet IPA – komponenta 2 për bashkëpunim ndërkufitar. Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës kanë nisur iniciativë për ndërtimin e ndërtesës së përbashkët në pikën kufitare Bellanoc – Tançiç. Për t’u ndërtuar ndërtesa e përbashkët mes dy shteteve, palët janë obliguar të ndajnë nga 600 mijë euro, mjete këto që sigurohen nga fondet e BE-së, projekt ky që kap shumën prej 1 milion e 200 mijë euro. Kjo ndërtesë shkon në interes të dy shteteve dhe besoj se në vitin 2012 ky projekt do të realizohet. Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka marrë për obligim për çka ka edhe vendim të qeverisë, i miratuar në korrik të vitit 2011, që të ndërtojë rrugën që çon në këtë drejtim në gjatësi prej 17 kilometra. Besoj se Qeveria e Maqedonisë do t’i parashohë këto mjete në buxhetin e  vitit 2012”, tha Bejta.

Ambasadori i Republikës së Kosovës Skender Durmishi tha se takimi me ministrin e vetëqeverisjes lokale, Nevzat Bejta ishte një takim miqësor, shumë i dobishëm dhe rëndësishëm.

“Është një lajm i mirë angazhimi dhe premtimet që dëgjuam këtu se nuk do të mungoj përkushtimi, angazhimet dhe inkurajimi që kjo pikë e vendkalimit kufitar në Stançiq – Bellanoc, të realizohet brenda  vitit 2012”, ka thënë ambasadori Durmishi. (LajmeShqip.com)