Shkup- Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi, mbrëmë ka realizuar takim me Sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, ku temë e takimeve kanë qenë bashkëpunimi mes Sekretariatit për Implementimin e MO-së dhe OSBE-së, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, procesi i integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike.
Zëvendëskryeministri Xhaferi, siç thuhet në kumtesën e Sekretariatit për implementimin e MO-së, vlerësoi lartë rolin e OSBE-së në mbështetjen që i jep implementimit të MO-së dhe mbështetjen në zbatimin e reformave në sfera të ndryshme.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier në takim, siç thuhet në kumtesë, ka shprehur brengosjen e tij për incidentet e fundit në vendin tonë, duke ofruar ndihmën e misionit që drejton ai në ndërtimin e mirëbesimit në mes bashkësive etnike në vend.
Sipas zëvendëskryetarit të Qeverisë, incidentet e dhunës janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe se në fokus në të ardhmen do të jetë implementimi i të gjitha obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
“Në të ardhmen në fokus do të jenë pjesa e kthimit të mirëbesimit në mes bashkësive etnike dhe të gjithë qytetarët t’i gëzojnë të drejtat e tyre, përfaqësimi i drejtë si shtyllë kryesore e këtij dokumenti, sidomos përfaqësimi i drejtë në të gjitha nivelet në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organet gjyqësore. Përfaqësimi në polici dhe gjyqësi është garanci për mirëbesim”, theksoi Xhaferi.
Sipas tij, Akademia policore dhe ajo gjyqësore në të ardhmen duhet të trajnojë kuadër të bashkësive etnike me qëllim që të arrihet përfaqësimi i duhur.
Gjithashtu, në takim siç njofton SIOFA, bashkëbiseduesit kanë vlerësuar si të rëndësishëm bashkëpunimin e deritanishëm mes OSBE-së dhe Sekretariatit për Implementimin e MO-së dhe, siç shtohet mëtej, kanë shprehur gatishmëri që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 March 2012 11:00