Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 17:13

Tiranë (PLOTESUAR 2 mars, 11:40)- Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme i shprehu të mërkurën ngushëllimet familjarëve të dy shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, që u vranë me armë zjarri në Gostivar, ndërsa dënoi akte të tilla, që sipas saj nuk kontribuojnë për prosperitetin dhe stabilitetin në vend.

Në një deklaratë zyrtare Ministria e Jashtme “shpreh bindjen se kjo ngjarje do të hetohet me shpejtësi dhe transparencë nga organet përkatëse dhe autorët do të vihen para ligjit”.

Më 28 shkurt, nga një incident me armë zjarri mbetën të vrarë dy persona në qytetin e Gostivarit, (Maqedonia Perëndimore), kur një polic maqedonas shtiu me revole kundër dy të rinjve shqiptarë, pas një zënke lidhur me një vend-parkimi para banesës së policit.

**************************

Tetovë- Në Gostivar dhe Tetovë sot u mbajtën protesta pas vrasjes së pardjeshme të dy banorëve të qytetit të kryer nga një polic. Marshi protestues filloi para ndërtesës së Gjykatës themelore dhe përfundoi me fjalim të organizatorëve në sheshin e qytetit.

Ata kërkuan që zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski të kërkojë ndjesë, pasi, siç thanë, e ka arsyetuar vrasjen, kërkuan reforma në polici dhe dënim maksimal për policin që e ka kryer vrasjen.

Nga orët e mëngjesit nëpër rrugët e Gostivarit është vërejtur prani e përforcuar e policisë. Disa shkolla nuk punuan në ndërrimin e parë, ndërsa administrata komunale nuk punoi me palë, me arsye se masat janë parandalim për incidente të mundshme.

Këshilli i Komunës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, ku është marrë vendim për dënim të vrasjes dhe ndihmë në para për familjet e viktimave.

Kryetari i komunës Rufi Osmani e dënoi vrasjen e dyfishtë dhe qytetarëve u bëri thirrje të mbeten gjakftohtë ndaj provokimeve të mundshme.

“Ky është akt kriminel si pasojë e politikave nacionaliste të pushtetit aktual. edhe krahas tragjedisë, kjo nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet ndëretnike, por institucionet kompetente duhet ta ndërmarrin përgjegjësinë”, tha kryetari i komunës së Gostivarit.

Edhe në Tetovë pasdite u mbajt protestë e shkurt, me moton “Stop dhunës”, ku anëtarë të disa organizatave joqeveritare para objektit të policisë tetovare e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre nga vrasja në Gostivar.

“Qëllimi është të tregojmë se jemi kundër dhunës, vrasjeve dhe represionit policor. Vlerësojmë se ky nuk është rast i izoluar dhe kërkojmë që kryerësi i vrasjes sa më shpejtë të dënohet për këtë”, deklaroi Valon Kurtishi nga organizata joqeveritare “Ilirikum libertas”.

Paraprakisht në konferencë për shtyp në selinë e Partisë Demokratike Shqiptare, deputeti nga kjo parti dhe kryetar i degës së PDS-së në Gostivar, Gazmend Aliu kërkoi intervenim nga faktori ndërkombëtar. Sipas tij, mbi shqiptarët po bëhet politikë represive, e kjo, siç tha, mund seriozisht ta rrezikojë situatën. (LajmeShqip.com)