Shkup – 12 vite nga përfundimi i luftës, statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve ka ngelur vetëm si kartë e manipulimit dhe keqpërdorimit në zgjedhje.
Njëri nga komandantët e UÇK-së në luftën e Maqedonisë, Ibrahim Shaqiri thekson se, në vend që të risocializohen, ish-pjesëtarët e UÇK-së po ndiqen penalisht dhe terrorizohen.
“Faktori politik shqiptar, si duket u kënaq dhe një pjese tjetër, apo grimcë e vogël e shijuesve të atyre frutave, nuk patën vizion të qartë, pra nuk shihnin larg, apo kështu si miop i vinte më mirë. Pjesën më të madhe i kam shokë dhe nuk i ndërroj, porse vend për kritika dhe qortime ka shumë. Unë gjithnjë kam kërkuar nga ish-komandanti im Ali Ahmeti dhe shokët e mi tjerë, të zgjidhet statusi i familjeve të dëshmorëve dhe i atyre të invalidëve të luftës, të shtrohet rruga Kumanovë – Llojan e të hapet ai “dreq” kufi dhe shumë kërkesa tjera që lidhen me qeverinë e kuvendin”, deklaroi Shaqiri në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA.
Sipas tij, pjesëtarët e ish- UÇK-së kanë mbetur rrugëve pa asnjë mbështetje, ndërsa disa prej tyre janë vrarë, burgosur ose kanë braktisë vendin në kërkim të një jete më të mirë drejtë Perëndimit.
“Paramendoni, si pjesëmarrës i luftës dhe tashmë si intelektual, me paratë edhe të shqiptareve mbrohej në Gjykatën e Hagës krimineli i luftës, Lube Boshkovski, veprat e tija kriminale i dimë të gjithë shumë mirë, kurse pjesëtarët e UÇK-së, të pakënaqur me statusin e tyre, burgosen dhe vriten. Përfundimisht kjo është tmerr dhe unë nuk kam koment tjetër, mbase pas kësaj pyetje dhe kujtese, sigurisht se e km vështirë të bëj gjumë me natë të tëra, ngase kjo është pika më e dhimbshme pas asaj lufte”, deklaroi Shaqiri.
Ai kërkon që politikanë shqiptarët ti kthejnë sytë kah ish-luftëtarët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve si dhe të investojnë më shumë në rajonin e Likovës, i cili më së shumti u shkatërrua në vitin 2001.
“Këto kërkesa vazhdimisht i kam pasur, madje edhe sot e kësaj dite këto kërkesa vijojnë të jenë mysafir të organizmit tim në cilësinë e brengës. Mjerisht ngelën vetëm premtimet dhe asgjë tjetër. Shikoni Komunën e Kumanovës dhe atë të Likovës, se në çfarë gjendje janë, mjerim njëherësh edhe turp. Po të them, se kam ardhur në përfundim që më lehtë është të investohet aty ku më së paku apo fare nuk pati luftë dhe së dyti më së lehti për fatin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të vendosin ata që luftën e panë vetëm përmes ekraneve të televizorit, siç thua edhe ti, nuk kishin marrë erë në luftë”, Deklaroi Shaqiri, pjesëmarrës në luftën e Kroacisë në Dubrovnik, të Kosovës, të Luginës së Preshevës dhe komandant në luftën e Maqedonisë.
Statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare po vazhdon të heshtet dhe se një pjesë e të gjithë ish-pjesëtarëve dhe veteranët e luftës e drejtojnë gishtin nga politikanët shqiptar, të cilët vite me radhë premtuan, ndërsa asnjëherë nuk arritën të gjejnë zgjidhje për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe avancim të të drejtave.
Familjarë të dëshmorëve dhe invalidë të luftës të UÇK-së kërkojnë që urgjentisht të shtrohet si çështje prioritare zgjidhja e statusit të tyre, në këtë situatë, kur sipas tyre, kjo çështje është anashkaluar nga agjenda qeveritare. (INA/LajmeShqip.com)
Monday, 11 February 2013 16:39