Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 15:07

Manastir – Të dhënat e fundit nga Instituti i shëndetit publik (IShP) thonë se nga qendra e Manastirit janë paraqitur 9 raste për muajin maj.

“Janë raportuar 9 raste të reja me E. coli në Manastir. Ka shtrirje pothuajse në të gjitha moshat. Një rast ka qenë dyvjeçar, një rast në grupmoshën 10 – 14 vjeç, një rast nga 20 – 29 vjeç, katër raste nga 40 – 49 vjeç, një rast nga 50 – 59 vjeç dhe një rast me E. coli është paraqitur te një person mbi 60 vjeç. Vetëm një ka qenë i gjinisë femërore, tetë janë meshkuj”, kanë thënë nga IShP. Nga ky institucion, madje presin që së shpejti të sillen edhe të dhënat nga 9 qendrat e tjera të shëndetit publik. Këto raste të paraqitura fatmirësisht nuk janë të karakterit hemorragjik. Raste të tilla ende nuk ka pasur në vend. Këtë e konstatoi dhe Komisioni për sëmundje infektive (KSI) në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), në takimin e radhës. Po ashtu u bë e ditur për mediet se në vend ekzistojnë kapacitete laboratorike referente me pajisjen e nevojshme dhe reagensët për diagnostifikimin në kohë të këtij bakteri apo toksine e saj.

“Komisioni edhe më tej, me kujdes po e ndjek gjendjen dhe në kohë do të ndërmerren të gjitha masat në pajtim me gjendjen epidemiologjike në Evropë, vendet përreth, si dhe te ne”, qëndron në kumtesën e MSH-së.