Manastir – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka vazhduar edhe gjatë ditës së premte me takime, me qytetarët dhe tubime me shqiptarët e Manastirit dhe fshatrave përreth, duke prezantuar programin qeverisës të BDI-së 2011-2015.
“Shqiptarët kanë tre qendra: Prizreni, në të cilin u zhvilluar Lidhja e Prizrenit, ku u vendos platforma e unifikuar e shqiptarëve për kombin tonë. Shqiptarët kanë Vlorën, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Qendra e tretë, më e rëndësishme për shqiptarët dhe që gjithë ne jemi krenar dhe veçanërisht ju shqiptarët e Manastirit, kanë Manastirin, qytetin ku u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe”, ka thënë Ali Ahmeti duke sqaruar se këto janë tre shtyllat e kombit pa të cilët nuk do ishte historia, nuk do ishte shkenca, nuk do ishin shtete shqiptare.
Lideri i BDI-së Ahmeti ka folur në Manastirin për rëndësinë e madhe që ka ky qytet për mbarë shqiptarët kudo që janë, për shkak se është ky qytet që u hapi dyert rilindësve, patriotëve dhe shkencëtarëve shqiptarë më 1908, për të themeluar Alfabetin e Gjuhës Shqipe nga ku filloi edhe arsimi shqip.
“Drita e syve është arsimi dhe ju gjithmonë keni dhënë njerëz të ditur për shqiptarët. Vazhdoni të punoni. Unë jam këtu t’ju përkrah, t’u trimëroj, t’ju jap vullnet që keni më shumë dëshirë dhe vullnet të punojmë së bashku për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe veçanarisht të shqiptarëve të Manastirit”, ka thënë Ahmeti. Marrëveshja e Ohrit, sipas tij, garanton barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë.
Ali Ahmeti u ka bërë thirrje shqiptarëve të Manastirit që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në Gjimnazin e gjuhës së nënës.
“Do t’u kisha lutur që sa më shumë shqiptarë të regjistrohen në Gjimnazin e Manastirit. Gjuha shqipe flitet nga 8 milion shqiptar në Ballkan. Gjuha shqipe sot flitet edhe nga maqedonasit s’e tash është nevojë edhe për ata. Ata mësojnë nëpër shkolla dhe kurse gjuhën shqipe. Mos nguroni, por regjistroni nxënësit të mësojnë gjuhën amtare”, u apeloi Ahmeti shqiptarëve të Manastirit.
Lideri i BDI-së sqaroi se në Maqedoni ka vendim të veçantë për trajtim të veçantë në vendet ku shqiptarët janë pakicë, si në Manastir, Prespë, Krushevë.
“Ky vendim ska si mos të respektohet dhe ne duhet të punojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë edhe këtu dhe kjo bëhet duke punuar së bashku, duke u angazhuar të gjithë ju së bashku me ne, duke u bashkuar ju dhe mos u përçani, bëhuni bashkë, sepse kështu jemi më të fortë dhe duke qenë më të fortë jemi më të rëndësishëm”, konstatoi Ali Ahmeti, duke u bërë thirrje shqiptarëve të Manastirit që të mobilizohen rreth BDI-së, duke votuar numrin 7. Para shqiptarëve të Manastirit foli edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, i cili bëri apel që shqiptarët kudo që janë të dalin sa më masovikisht të bashkuar, për shkak se vetëm të bashkuar, tha Ademi, ne mund t’i çojmë proceset përpara.
Friday, 27 May 2011 21:29