Prishtinë-Komisionerja Evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom, tha sot në Prishtinë, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Hashim Thaçi, se “udhërrëfyesi për libralizimin e vizave do t’i dorëzohet së shpejti Kosovës”.
“Udhërrëfyesi varet nga reformat e qeverisë”, tha Malmstrom, duke shtuar se shumë reforma janë kryer, por ende duhen bërë disa reforma të tjera.
Komisionerja Malmstrom tha se “sot po fillojmë dialogun, i cili është zotim politik që komisioni e bën me popullin e Kosovës.
“Do punojmë që Kosova të përmbushë detyrimet e saj. Komisioni Europian do ta mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave”.
Kryeministri Thaçi, në fjalën e tij, theksoi se “qeveria e Kosovës e mirëpret fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Kosova e meriton plotësisht liberalizimin e vizave”.
“Kosova po hedh hapa konkretë drejt integrimit europian”, tha Thaçi.
Gjithësesi Komisioni Evropian ka nisur edhe zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Nisja e dialogut është konfirmuar nga Komisionarja për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi.
Pritjet në Prishtinë për një kohë të gjatë kanë qenë që BE-ja nga të enjten t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për vizat, por Malmström ka thënë se procedurat janë të njëjta për të gjitha vendet, kështu që “së pari niset dialogu, e më pas caktohen parakushtet që sjellin deri të marrja e udhërrëfyesit”.
“Ajo që sot po bëjmë është të jemi këtu dhe të konfirmojmë se kushtet për nisjen e dialogut janë përmbushur”, ka thënë Malmström, duke potencuar sidomos çështjen e riatdhesimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga vendet e BE-së për në Kosovë.
Nisja e dialogut nënkupton vendim politik, kurse kushtet tjera ndërlidhen edhe me çështje tjera teknike dhe ato të legjislacionit, ka thënë Malmström. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 15:59