Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 10:00

Prishtinë-Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom ka përgënjeshtruar qeverinë e Kosovës, duke thënë se nuk është e vërtetë që nisja e dialogut është një shpërblim për Prishtinën për shkak të përkushtimit në dialogun e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në një intervistë ekskluzive për KTV, ajo nuk ka dashur fare të flasë për një datë të përafërt për heqjen e vizave.

“Jo, kjo s’është aspak e vërtetë, sepse dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është natyrisht jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe unë i inkurajoj të dyja palët që të bëjnë çmos për të, por dialogu për viza është proces i ndarë dhe që nga fillimi ishim mjaft të qartë kushtet finale, e që në rastin e Kosovës ishte integrimi i të riatdhesuarve, kur kjo të përmbushet zyrtarisht, ne do ta nisnim dialogun. Në këtë aspekt është bërë punë shumë e madhe dhe ne e nisëm dialogun. Kështu që këto janë dy procese të ndara dhe do t’i trajtojmë ashtu”, ka thënë komisarja evropiane.  

Pos përkushtimit për dialogun me Beogradin, Malmstrom ka kërkuar nga institucionet kosovare që të bëjnë më shumë progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Unë s’mund të them se cila është pjesa më e vështirë, sepse nuk e kam atë njohuri specifike për atë se çfarë ka në legjislaturën aktuale dhe sa larg keni shkuar dhe as për shtetet e tjera që u përfshinë deri tani, por ju jeni të gjitha demokraci të reja në rajon dhe konsolidimi i sundimit të ligjit është bërë pjesa më e vështirë për të gjitha shtetet. Andaj, do t’iu duhet të punojnë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, të sigurohen se kufijtë janë funksionalë, se ekziston siguri e dokumentacioneve…të gjitha këto përfshihen, por saktë se ku  ndodhet Kosova me këto, unë s’mund t’iu them”, tha ajo.

Udhërrëfyesi mund të pritet t’iu dorëzohet institucioneve në pranverë, por komisarja Malmstrom nuk ka dashur fare të flasë për një datë të përafërt për heqjen e vizave.