MALLAKASTËR– 11 banesa janë shembur në fshatin Ngracie të komunës Qendër në Mallakastër, si pasojë e rrëshqitjes masive të dheut, ndërsa një lagje duket se është ‘zhdukur’, brenda një nate.
Mësohet se rrëshqitjet kanë ndodhur gjatë natës,ku banorët të alarmuar kanë braktisur shtëpitë. Mëngjesi i ka gjetur nën rrënoja, teksa përpiqeshin të shpëtonin çfarë të mundeshin nga orenditë e shtëpive.
Raportohet se nga rrëshqitja masive e tokës janë plasaritur edhe shumë banesa të tjera, të cilat rrezikojnë seriozisht shembjen.
Situata bëhet edhe më alarmante pasi si pasojë e rrëshqitjeve të dheut është shembur rruga e kësaj komune duke lënë të izoluar 400 banorë.
Në këtë situatë janë molizuar të gjitha forcat e policisë, Shtabi i Emergjenceve, vendorët, etj. të ciëet kanë akomoduar banorët momentalisht në një hotel, ndërsa po bëjnë të mundur nxjerrjen e orendive të banorëve nga shtëpitë e shkatërruara tashmë.
Fatmirësisht nga shembja nuk ka persona të lënduar, por gjendja në këtë fshat mbetet ende alarmante, pasi shembjet vazhdojnë.
RRËFIMI I BANORËVE
Rrëshqitjet e tokës kanë prekur një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërsa banorët shprehen se alarmi është dhënë në orën 03:00 të natës, e më pas të gjithë kanë braktisur banesat.
“U ngritëm të alarmuar, kur na tha kunati dilni nga shtëpitë të shpëtojmë si njerëz, se ikëm. Shtëpitë janë shkatërruar komplet, nuk janë më të banueshme”, tha një banore.
Ndërsa një tjetër rrëfen “Direkt pati një tronditje të madhe dhe për gjysmë ore rrëshqitja u përhap nga deri tek shtëpitë që ishin 200 metra larg”, tha ai.
“Na u këput kollona e shtëpisë, dolëm të gjithë jashtë që të mos na zinte brenda. Ne duam ndihmë të nxjerrim plackat”, tha një tjetër banor.
“Kodra që kemi përballë është fundosur mbi 30-40 metra”, rrëfen një banor. “Pjesa e rrugës ka ikur rreth 200-300 metra”, shton ai.
OLLDASHI E NOKA INSPEKTOJNE SITUATEN
Rrëshqitjet masive të tokës, kanë cuar në fshatin Ngracie dy ministrat e kabinetit qeveritar, për të parë nga afër situatën e krijuar aty.
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe ai i Brendshëm Flamur Noka kanë shkuar në vendngjarje.
Noka ka deklaruar se “Situata atje është problematike”, prandaj sic tha ai të gjithë banorët duhet të largohen. Ministri gjithashtu kërkoi ngritjen e një komisioni që do të verifikojë dëmet. Edhe ministri Olldashi u shpreh se banorët nuk do lejohen të banojnë më në këtë lagje.(LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 February 2013 14:01