Prishtinë – Hetues policorë nga Njësiti “Task Force”, në bashkëpunim me Njësitin doganor “Fast 2” dhe inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë sekuestruar rreth 14.000 litra naftë, dy cisterna dhe një pompë karburanti në Malishevë njoftoi sot policia regjionale në Prizren.
Zëdhënësi Hazir Berisha tha se nafta është gjetur në dy cisterna të vendosura në një depo të materialit ndërtimor në rrugën “Adem Jashari”, në Malishevë.
Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nafta, në vazhdimësi është nxjerrë nga rezervuarët e kamionëve të komunitetit boshnjak, e cila dyshohet të jetë e siguruar përmes kontrabandës, tha togeri policor.
Gjatë intervistës, poseduesi i naftës nuk kishte qenë në gjendje të ofrojë dëshmi mbi prejardhjen e mallit. Berisha tha se janë sekuestruar edhe disa regjistra me emra të personave që ndihmojnë në hetimin e rastit ndërsa kallëzimi penal me të gjitha provat do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme.
Tuesday, 17 May 2011 12:11