Lajme Shqip Thursday, 27 October 2011 13:30

Tiranë – “Partia Socialiste nuk duhet të vihet në dispozicion të ambicieve të individëve, por të vihen të gjithë socialistët në funksion të ndaljes së keqqeverisjes së vendit të dhe fitores më 2013”.

Kështu shprehet deputeti socialist Arben Malaj, një nga përfaqësuesit e njohur të mendimit ndryshe në PS, gjatë një komunikimi në një rrjet social, i publikuar sot në gazetën MAPO.

Deputeti Malaj rishpreh qartë qëndrimin e tij për zhvillimet e fundit në partinë më të madhe opozitare, duke vënë në dukje edhe gjëra, që, sipas tij, kanë çuar në dështime të përsëritura të kësaj force politike.

“Keqpërdorimi i solidaritetit të socialistëve në funksion vetëm të ambicies personale na ka sjellë dështime të përsëritura, ndërsa bashkimi, si detyrim ndaj PS-së dhe vendit, afron fitoren”, thotë Malaj në komentet e tij.

Ndërkaq, pyetjeve më aktuale, se çfarë pritet të ndodhë në Kongresin e afërt të PS-së, ai iu përgjigjet se “nuk shpreson që të ndodhë diçka e veçantë”.

“Fatkeqësisht, vazhdon të mbisundojë mentaliteti që të kufizohet “liria e tepërt”, të kontrollohet çdo forum i PS-së, nën pretekstin se vetëm kështu e mundim Berishën. Por, e vërteta në këto 6 vite rezulton dështuese, ndaj PS duhet të rritet vetë, si forca më moderne dhe më e madhe politike”, thotë deputeti Malaj.

Por, vijon ai, “kjo kërkon jo sundim të strukturave, por më shumë liri, vetëm liria bashkon më shumë anëtarë dhe mbështetës. Kjo arrihet duke i respektuar të gjithë dhe jo duke i rreshtuar ata nën një unitet dhe displinë formale”.

Sipas argumentimit të Malaj, PS duhet ta mundë qeverinë Berisha duke krijuar avantazhe të qarta dhe të plota, jo duke kopjuar modelin Berisha. “PS duhet ta mundë qeverinë jo në funksion të ambicjeve personale të individëve të ndryshëm, por në detyrim të së ardhmes së të gjithë shqiptarëve”, thotë ai.

Të gjitha këto arësye të renditura nga deputeti socialist kanë bërë që ai të mos besojë se kongresi i ardhshëm i socialistëve do të bazohet tek strategjia e fitores së PS-së, pasi sipas Malaj, ai tenton të keqpërdoret, siç ka ndodhur deri tani me PS-në, në funksion të ambicjeve personale.

“Të gjithë e kuptojmë se fitoret politike janë bërë të vështira, të gjithë e kuptojmë se qeverisja e vendit do të jetë akoma më e vështirë, ndaj zgjerimi i bazës fituese brenda PS-së dhe me aleatët e saj është kusht i nevojshëm dhe i dobishëm. Nuk mund t’u justifikohemi socialistëve se ne fituam, por ata na i vodhën votat, apo PS është partia më e madhe politike në vend, por mbetet përherë në opozitë dhe socialistët mbeten nën qeverisjen e keqe të PD-së për 8 vjet. Ky është thelbi i ndryshimit në diskutimet dhe angazhimet tona”, shprehet deputeti Malaj.