Lajme Shqip Friday, 13 December 2013 12:19

Mëngjesin e sotëm Kryeministria është rrethuar nga forca të shumta policie, pas një alarmi të dhënë për bombë. Mësohet se nga policia se, alarmi u dha nga një telefonatë anonime. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur makina dhe qentë antieksplozivë.

Mësohet se ka qenë një telefonate anonime e mbërritur në sallën operative dhe ka dhënë informacionin se në zonën e Kryeministrisë është vendosur lëndë eksplozive. 

Burime nga policia kanë bërë të ditur se pranë selisë së Kryeministrisë ka qenë një makinë, e cila dyshohej se kishte brenda lëndë eksplozive. Ekspertët e xhenios pasi kryen shpërthimin e kontrolluar, thanë se alarmi rezultonte që ishte fals. Por, Ministria e Brendshme më vonë bëri të ditur se gjatë shpërthimit të kontrolluar, u konfirmua se kishte një sasi të vogël eksplozivi, prej 300 gr, në pjesën e poshtme të automjetit. Eksplozivi u çaktivizua nga eksperti i xhenios, duke shmangur çdo incident.

Mësohet se makina i përket shtetasit Besink Rapo Dervishi, 50 vjeç, i lindur në Tiranë dhe është prefekti i Vlorës. 

Një prokuror i Prokurorisë së Tiranë mbërriti në vendin e ngjarjes dhe ka nisur të bëjë verifikimet për kamerat e sigurisë për të parë, si mund të ketë hyrë makina brenda perimetrit të Kryeministrisë. Makina aktualisht ndodhet në krahun e majtë të godinës, pikërisht në krah të Piramidës. Makina e kontrolluar është e modelit “Peugot” model 407 ngjyrë gri me targa TR 5066 H, raporton shekulli.

Policia dhe Garda e Republikës zgjeruan rrethimin e zonës, duke bllokuar edhe qarkullimin i automjeteve dhe i këmbësorëve. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat xheniere që kanë nisur kontrollin e ambienteve të selisë së qeverisë. 

Ndërkaq është evakuuar personeli i kryeministrisë, i cili ka shkuar te ndërtesa e Ministrisë së Financave. 

Ndërkohë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndoqën nga afër aksionin për verifikimin dhe kontrollin e gjithë zonës, brenda dhe jashtë godinës qeveritare. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në zyrën e tij, pasi është në një vizitë zyrtare në Itali.