Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 08:00

Tiranë -Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka njoftuar se është kandidaturë e mundshme për postin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Europën dhe vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit.

“Unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara, në pozicionin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit”, shprehet Majko në një njoftim për shtyp.

“Për një politikan karriere si unë, pavarësisht moshës time të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtarë. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere”, thekson ai.

Sipas Majkos, “sot Kombet e Bashkuara po marrin një rol akoma dhe më primar në menaxhimin e krizave, paqes, zhvillimit njerëzor si dhe luftës kundër varfërisë në botë”.

“Shqipëria është një vend i vogël, por që 10 vitet e fundit ka ditur të japë kontributin e saj në paqen, jo vetëm në rang rajonal, në menaxhimin e krizës së Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe atë global, me pjesëmarrjen e saj në paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara apo me punësimin e disa dhjetëra shqiptarëve, të cilët japin kontributin e tyre në gjirin e Kombeve të Bashkuara nëpër misionet e zhvillimit në botë”, nënvizon Majko.

Por Majko thekson edhe njëherë se kandidimi i emrit të tij është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij, zoti Ban Ki-Moon, ai i cili do të përzgjedhë kandidaturën më të përshtatshme.

“Unë vazhdoj të jem deputet i Partisë Socialiste dhe të jap kontributin tim gjithashtu brenda Kryesisë së Partisë Socialiste”, siguron Majko.

Pandeli Majko njihet si një nga politikanët më më eksperiencë në parlamentin shqiptar dhe sidomos tek e majta. Majko ka drejtuar qeverinë shqiptare në vitet e luftës në Kosovë, duke qënë një prej partnerëve më të vlerësuar nga ndërkombëtarët në kohën kur NATO sulmoi bazat e Serbisë dhe i dha lirinë Kosovës. (LajmeShqip.com)