Tiranë – Ratifikimi i marrëveshjes dypalëshe ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Serbisë “për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve” është debatuar sot në seancën plenare të Kuvendit, ku de
putetët e të dy palëve shfaqën qëndrime të kundërta.
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, u shpreh kritik ndaj marrëveshjes, e cila, sipas tij, është e standardit të lidhur më parë me vendet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
“Nuk kemi të bëjmë me marrëveshje për ‘një lëvizje të lirë’, por për performancën e një lëvizje të kufizuar. Marrëveshja ka dy qëllime: së pari qeveria shqiptare ka shprehur një koshiencë aspak të drejtë, duke i ofruar Serbisë paritetin që i ka ofruar Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe, së dyti, qeveria shqiptare është e detyruar para Parlamentit Shqiptar, nëse ka minoritet serb në Shqipëri, dhe kjo nuk ka të bëjë me lëvizjen e lirë”, tha deputeti Majko.
Në përgjigje të këtij qëndrimi, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, duke e quajtur marrëveshjen të dobishme dhe në shërbim të qytetarëve, tha se qëndrimi i opozitës është kundër lëvizjes së lirë dhe thellësisht në kundërshtim me interesat e vendit.
“Marrëveshja me Serbinë është shumë e rëndësishme dhe bazohet në rekomandimet dhe standardet e Bashkimit Europian. Ajo është një marrëveshje mes vendeve që dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe që duan që qytetarët e tyre të lëvizin të lirë me të drejtat europiane dhe që duan të ndërtojnë aspirata të reja”, tha deputeti Shehu.
Sipas tij, kjo është meritë e qeverisë, e cila me një vizion krejtësisht europian ndërton të tilla marrëdhënie, që kontribuojnë në integrimin europian jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të rajonit.
Marrëveshja me Serbinë “për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve” do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve, si dhe do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.
Më 5 korrik 2011, Shqipëria nënshkroi me Serbinë marrëveshjen e lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve pa viza.
Sipas saj, afati i qëndrimit do të jetë 90 ditë brenda afatit kohor prej 180 ditësh. Gjithashtu, marrëveshja parashikon që kalimi në pikat kufitare do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera.
Thursday, 27 October 2011 13:58