Prishtinë-Për herë të parë në Kosovë u ndanë çmimet për drejtësi, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Çmimi i parë iu nda juristit që mbrojti pavarësinë e Kosovës në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë, Majkëll Vud.
Ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se ky çmim jo rastësisht lidhet me emrin e heroit tonë Sali Çekaj, sepse ai luftoi dhe kontribuoi për drejtësi e liri të vendit.
Ai tha se beteja për drejtësi vazhdon dhe përmes ndarjes së çmimit për drejtësi, nderohet lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ministri Kuqi tha se sot po laureohen njerëzit të cilët kanë pasur guxim për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën.
Juristi i njohur britanik, Majkëll Vud, i cili mori çmimin për drejtësi “Sali Çekaj”, tha se ka shumë progres në fushën e drejtësisë në Kosovë, por mbetet edhe shumë për t’u bërë, e kjo është sfida e radhës, tha Vud.
“Është nder i madh, dhe njëkohësisht edhe kënaqësi e madhe të pranoj çmimin e parë për drejtësi. Kjo ceremoni dhe këto çmime që po jepen sot, në të vërtetë simbolizojnë angazhimin e Republikës së Kosovës për sundim të ligjit, përfshirë sundimin e ligjin edhe në çështjen ndërkombëtare. Ky përkushtim për sundim të ligjit është një element i thjeshtë por element qëndror si lajtmotiv për shpalljen e Pavarësisë.”-tha Vud.
Çmime për drejtësi iu ndanë edhe disa prokurorëve e gjyqtarëve, studentëve e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme.
Gjithashtu, çmimi “Sali Çekaj” për drejtësi post mortum, iu nda figurave të njohura që kanë kontribuar për drejtësi, si: Nekibe Kelmendit, profesor Ejup Statovcit, Gazmend Zajmit e Bardhyl Çaushit. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 December 2011 21:16