Lajme Shqip Tuesday, 27 December 2011 20:02

Tiranë- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha, zhvilluan sot një takim festiv me të rinjtë e të gjithë Qarkut të Fierit, i organizuar në qytetin e Lushnjes.

Lideri i LSI-së u shpreh i sigurtë se fuqizimi i Lëvizjes Rinore për Integrim në Lushnje do të jetë tepër evident gjatë vitit të ardhshëm.

“Ndaj jam këtu për të ndarë këtë besim së bashku me ju por edhe për të shprehur mbështetjen tonë për të gjithë rininë e Lushnjes sepse kjo është një nga zonat më të begata të Shqipërisë dhe duhet të jetë një nga zonat e cila siguron të ardhmen e sigurt për të gjithë rinjtë e Lushnjes”.

Më tej,  Meta u shpreh se  “ne duam të forcojmë vlerat e një shteti evropian, vlerat e shtetit të së drejtës, vlerat e lirisë dhe dinjitetit të çdo qytetari në këtë vend, sepse ne duam që Shqipërinë t’ia japim qytetarëve, t’ia japim rinisë së saj.

“Ju jeni garancia më e mirë për këtë sukses dhe për këtë triumf të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 8 majit në të gjithë Shqipërinë. Sepse ky është një vend që ka të ardhme dhe të ardhmen e tij nuk e merr dot peng askush”-tha Meta.

Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Rinore për Integrim, Besjan Pesha, falënderoi të gjithë të rinjtë e pranishëm për punën e mrekullueshme që kanë bërë e cila sipas tij do të vazhdojë e tillë edhe vitin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)